Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë me dije se pas ndërhyrjes nga ajri me avionin e Candair të ardhur në ndihmë nga grekët, është bërë e mundur neutralizimi i vatrave të zjarrit në ishullin e Sazanit dhe në Mirditë.
Përmes një postimi në facebook, Peleshi thotë se për neutralizimin e zjarrit në këto dy vatra u angazhuan 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete dhe 2 anije, ndërkohë që efikase duket se ishte ndërhyrja me avionin grek, i cili filloi punë për shuarjen e zjarreve mëngjesin e sotëm.
POSTIMI I PLOTË:
Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit dhe Mirditë.
Neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit, pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri. 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete, 2 anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët. Mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri. Forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian. Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll, ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë.
Ndërkaq 54 efektivë të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës. Në operacionin që u finalizua në një kohë të shpejtë u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.
Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara dhe u bën thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident.
Falenderime të përzemërta Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për mbështetjen, shtetit fqinj Greqisë për përgjigjen në kohë rekord me avionin Canadair.