AKADEMIK ANASTAS ANGJELI
Në frymën e qëndrimeve dhe vendimeve të deritanishme dhe Samitit të fundit të vendeve të G7, me shqetësimin e luftës në Ukrainë, pasojave dhe krizës që po shkakton kjo luftë në ekonominë evropiane dhe masat që duhen marrë për përballjen e kësaj situate, Këshilli Evropian zhvilloi për dy ditë një samit emergjent.. Gjatë ditës së parë të samitit u arritën përfundime dhe dakordësime të rëndësishme, të cilat kishin monopolizuar axhendën e bisedimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe gjatë muajit të fundit dhe kishin të bënin kryesisht me vendosjen e embargos për naftën ruse dhe qëndrimin që disa vende skeptike, kryesisht Hungaria, kishin në lidhje me këtë çështje. Në përfundim të ditës së parë të punimeve u arrit dakordësi në një sërë pikash të rëndësishme.
Kështu, KE ishte unanim në lidhje me dënimin (e ripërsëritur) të agresionit të Rusisë në Ukrainë). Këshilli Evropian dënon me vendosmëri luftën dhe agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Ai i kërkon Rusisë që të ndalojë menjëherë sulmet e saj pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile dhe të tërheqë menjëherë pa kushte të gjitha trupat dhe pajisjet e saj ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Mizoritë që po kryhen nga forcat ruse dhe vuajtjet dhe shkatërrimet që po shkaktohen janë të papërshkrueshme. Këshilli Evropian i bën thirrje Rusisë që të lejojë aksesin e menjëhershëm humanitar dhe kalimin e sigurt të të gjithë civilëve të interesuar. KE pret që e drejta ndërkombëtare humanitare, përfshirë Konventën e Gjenevës në lidhje me trajtimin e të burgosurve të luftës, të respektohet plotësisht. Ai gjithashtu i bën thirrje Rusisë që të lejojë menjëherë kthimin e sigurt të individëve ukrainas të larguar me forcë në Rusi”.
Në lidhje me respektimin e së drejtës ndërkombëtare mbi krimet e luftës, Këshilli Evropian “inkurajon të gjithë ata që ndihmojnë në mbledhjen e provave dhe hetimin e krimeve të luftës dhe krimeve të tjera më të rënda, dhe mbështet punën intensive të Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në këtë drejtim. Ai gjithashtu përshëndet punën që po kryhet nga Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës me mbështetje financiare dhe për ndërtimin e kapaciteteve nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij. Ai mirëpret krijimin e një ekipi të përbashkët hetimor të koordinuar nga Eurojust, roli i të cilit është forcuar, dhe mbështetjen e vazhdueshme operacionale të ofruar nga Europol. Rusia, Bjellorusia dhe të gjithë ata që janë përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre në përputhje me ligjin ndërkombëtar”
Një çështje e rëndësishme ishte diskutimi dhe qëndrimi në lidhje me vazhdimin e sanksioneve dhe me paketën e gjashtë të sanksioneve. “Këshilli Evropian është i përkushtuar për të intensifikuar presionin ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë për të penguar luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Këshilli Evropian u bën thirrje të gjitha vendeve që të harmonizohen me sanksionet e BE-së. Çdo përpjekje për të anashkaluar sanksionet ose për të ndihmuar Rusinë me mjete të tjera duhet të ndalet. Këshilli Evropian pajtohet që paketa e gjashtë e sanksioneve kundër Rusisë do të mbulojë naftën bruto, si dhe produktet e naftës, të dërguara nga Rusia në Shtetet Anëtare, me një përjashtim të përkohshëm për naftën bruto të shpërndarë me tubacion.
Prandaj, Këshilli Evropian i kërkon Këshillit që ta finalizojë dhe miratojë pa vonesë, duke siguruar një treg të vetëm të BE-së që funksionon mirë, konkurrencë të ndershme, solidaritet ndërmjet shteteve anëtare dhe rregulla e kushte të barabarta loje, gjithashtu në lidhje me largimin gradual të varësisë sonë nga Rusia për lëndët djegëse fosile. Në rast të ndërprerjeve të menjëhershme të furnizimit do të vendosen masa emergjente për të garantuar sigurinë e furnizimit. Në këtë aspekt, Komisioni do të monitorojë dhe do t’i raportojë rregullisht Këshillit mbi zbatimin e këtyre masave për të siguruar një fushë loje të barabartë në tregun e vetëm të BE-së dhe sigurinë e furnizimit.
Këshilli Evropian do t’i rikthehet çështjes së përjashtimit të përkohshëm për naftën bruto të dorëzuar me tubacion sa më shpejt të jetë e mundur”. Një çështje tjetër e rëndësishme ishte vazhdimi dhe sigurimi i mëtejshëm për mbështetjen financiare për Ukrainën. Lidhur me këtë aspekt, KE-ja u zotua se kjo mbështetje do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, duke akorduar një ndihmë shtesë prej 9 miliardë Eurosh. “Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë qeverinë ukrainase në nevojat e saj urgjente për likuiditet së bashku me partnerët e saj të G7.
Ai njeh mbështetjen e shpallur në kontekstin e G7. Bashkimi Evropian është i gatshëm t’i japë Ukrainës ndihmë të re të jashtëzakonshme makro-financiare deri në 9 miliardë euro në vitin 2022″. Në këtë kontekst, Këshilli Evropian bën thirrje për shqyrtimin e propozimit të Komisionit sapo të paraqitet. Rindërtimi i Ukrainës pas përfundimit të luftës si dhe integrimi evropian i saj ishin një çështje tjetër që mori vëmendjen e këtij takimi.. “Rindërtimi i Ukrainës do të kërkojë mbështetje gjithëpërfshirëse për të rindërtuar vendin për të ardhmen. Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij janë të përgatitur të luajnë një rol të madh në këtë drejtim. Prandaj, duhet të konsiderohet një platformë rindërtimi në Ukrainë.
Ai duhet të bashkojë qeverinë ukrainase, Bashkimin Evropian dhe shtetet e tij anëtare, Bankën Evropiane të Investimeve si dhe partnerët ndërkombëtarë, institucionet financuese, organizatat, ekspertët dhe palët e interesuara. Mbështetja e BE-së për rindërtimin do të lidhet me zbatimin e reformave dhe masave kundër korrupsionit në përputhje me rrugën e saj evropiane. Këshilli Evropian fton komisionin të adresohet e të bëjë propozime mbi këtë bazë”. Njëherësh, Këshilli Evropian rikonfirmoi zotimin për vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës në nivelin ushtarak, politik dhe ekonomik. “Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar të vazhdojë të forcojë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial.
Në këtë aspekt, Këshilli Evropian mirëpret miratimin e vendimit të fundit të Këshillit për të rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën në kuadër të Facilitetit Evropian të Paqes. Këshilli Evropian mirëpret miratimin e vendimit për të pezulluar detyrimet e importit për të gjitha eksportet e Ukrainës në Bashkimin Evropian për një vit. Këshilli Evropian merr parasysh përgatitjen e opinioneve të Komisionit për aplikimin për anëtarësim në BE të Ukrainës, si dhe të Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë, dhe do t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e tij të qershorit. Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij do të shtojnë përpjekjet e tyre për t’u afruar vendeve të treta në mënyrë që të mbështesin Ukrainën në të gjitha këto dimensione, të kundërshtojnë narrativën e rreme ruse dhe manipulimin e informacionit dhe të parandalojnë evazionin dhe anashkalimin e sanksioneve”.
Gjithashtu u vlerësua edhe impakti që konflikti ka në vendet fqinje dhe në Ballkanin Perëndimor dhe u theksua nevoja për të ofruar të gjithë mbështetjen përkatëse për Republikën e Moldavisë dhe me krizat e ndërlidhura energjetike dhe ekonomike, si dhe presionin e emigracionit si pasojë e luftës. Këshilli Evropian përsërit thirrjen e tij për t’i dhënë fund represionit në Bjellorusi dhe kujton të drejtën demokratike të popullit bjellorus për zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme.
Dita e dytë e Samitit i kushtoi vëmendje dhe mori qëndrime lidhur me sanksionet (embargo) për sa i përket krizës energjetike, krizën e sigurisë ushqimore (bllokimin e miliona tonë gruri në portet e Ukrainës) dhe asaj që ka shume rendësi në këtë luftë, çështja e sigurisë dhe e mbrojtjes. Kështu që një pjesë e rëndësishme e punimeve ishin edhe çështjet e krizës energjetike dhe rrugëzgjidhjet për këtë çështje.
Duke kujtuar Deklaratën e Versajës dhe konkluzionet e saj të 21-22 tetorit 2021 dhe 24-25 mars 2022, Këshilli Evropian shqyrtoi progresin për shkëputjen graduale të varësisë së Bashkimit Evropian nga importet e gazit, naftës dhe qymyrit rus sa më shpejt të jetë e mundur. Pas vendimeve të mëparshme për ndalimin e importeve nga Rusia dhe prezantimin e planit për të reduktuar me shpejtësi varësinë nga lëndët djegëse fosile ruse dhe për të përshpejtuar tranzicionin e energjisë, për të arritur një sistem energjie më elastik dhe një bashkim energjetik të ndërlidhur mirë.
Këshilli vendosi vazhdimin e embargos për furnizimet jo me tubacione të naftës dhe bëri thirrje për: – përdorimin e shpejtë, përpara dimrit të ardhshëm, të Platformës së Blerjes së Energjisë nga BE, e cila është e hapur edhe për Ballkanin Perëndimor dhe tre partnerët lindorë të lidhur. – vëmendjen e Komisionit për të shqyrtuar gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë mënyrat për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë, duke përfshirë mundësinë e vendosjes së kufijve të përkohshëm të çmimeve të importit, aty ku është e përshtatshme. – Këshilli Evropian që të vazhdojë punën për caktimin strategjisë e BE-së për angazhimin e jashtëm të energjisë. – përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit të energjisë kudo që është e mundur, dhe promovimin e kursimit të energjisë – kompletimin dhe përmirësimin e ndërlidhjes së rrjeteve evropiane të gazit dhe energjisë elektrike duke investuar dhe kompletuar infrastrukturën ekzistuese dhe duke implementuar projekte të reja, duke përfshirë LNG-në dhe ndërlidhjet e energjisë elektrike dhe gazit të gatshëm për hidrogjen në të gjithë Bashkimin Evropian.
Në lidhje me sigurinë ushqimore, Këshilli Evropian deklaroi se “dënon fuqishëm shkatërrimin dhe përvetësimin e paligjshëm nga Rusia e prodhimit bujqësor në Ukrainë. Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë globale të ushqimit dhe përballueshmërinë. Këshilli Evropian i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund sulmeve të saj ndaj infrastrukturës së transportit në Ukrainë, për të hequr bllokadën e porteve ukrainase të Detit të Zi dhe për të lejuar eksportet e ushqimit, veçanërisht nga Odesa.
Bashkimi Evropian po merr masa aktive për të lehtësuar eksportet bujqësore të Ukrainës dhe për të mbështetur sektorin bujqësor të Ukrainë”. Në lidhje me çështje e rëndësishme të sigurisë dhe mbrojtjes u deklarua se “Lufta e agresionit rus kundër Ukrainës ka shkaktuar një ndryshim të madh në Evropë. Në këtë kontekst të ri, duke rikujtuar Deklaratën e Versajës dhe konkluzionet e Këshillit Evropian të datës 24-25 mars 2022, Bashkimi Evropian do të zbatojë me vendosmëri Planin Strategjik, do ta përforcojë atë, do të rrisë qëndrueshmërinë e tij dhe kapacitetin e tij të sigurisë dhe mbrojtjes.
Marrëdhëniet transatlantike dhe bashkëpunimi BE-NATO, në respekt të plotë të parimeve të përcaktuara në Traktatet dhe ato të miratuara nga Këshilli Evropian, duke përfshirë parimet e gjithëpërfshirjes, reciprocitetit dhe autonomisë vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, janë kyç për sigurinë tonë të përgjithshme. Një Bashkimi Evropian më i fortë dhe më i aftë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes do të kontribuojnë pozitivisht në sigurinë globale dhe transatlantike.