Portali i njohur italian Fanpage ka komentuar përplasjet e dhunshme në Tiranë në prag të finales së Conference League Roma-Feyenoord.
Aktet huligane u shënuan në disa pika të kryeqytetit, duke regjistruar dhjetëra të plagosur dhe të paktën 60 të arrestuar.
“Natë guerrile”, shkruan media e vendit fqinj.
Portali thekson se gjatë kësaj situate kaosi, policia përdori gaz lotsjellës, madje një efektiv policie nxori edhe armën.
“Pamjet që bëjnë xhiron e rrjetit tregojnë ‘grupe huliganësh’ të veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar, të armatosur me shkopinj dhe gurë, me shishe e çdo send të mprehtë, jo të gjithë të frikësuar nga forcat e rendit.
Kalojnë rrugës dhe shkatërrojnë: xhama të thyer, makina të dëmtuara, dyqane të sulmuara. Tërbimi i shtyn deri në prag të një godine qeveritare.
Të paktën 20 të plagosur, por numri është shumë më i lartë në dritën e shkatërrimeve dhe aksidenteve, gjatë të cilëve policët, përfshirë edhe ata me rroba civile, nxorën dhe treguan pistoletën, hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën”.
Në videon e mëposhtme shihet momenti kur polici i operacionales nxjerr armën e tij kundër tifozëve.