Në një konferencë me gazetarët kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi se mazhoranca mbetet e hapur që të diskutojë kandidatët e propozuar nga opozita për zgjedhjen e presidentit të ri, për raundet e dyta dhe të treta, nëse do të ketë të tillë.
Ai tha se të vetmit kandidatë që do të bëjnë përjashtim janë ata që mbështeten me firmën e ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët nuk do të merren në konsideratë.
“Edhe nëse PD vendos sot që nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi, raundi i tretë do të jetë në datën 30. Kujtoj që kjo është kërkesë e opozitës. Nëse arrijmë të bëjmë bashkë të gjithë deputetët e opozitës, përveç firmës së njërit, pra nëse për një nga kandidatët ndodhet firma e Sali Berishës ne nuk e diskutojmë.
Unë besoj se procesi që kemi nisur edhe në grupet e tjera parlamentare duhet marrë në konsideratë përpjekja e tyre për të dalë me një kandidat të përbashkët. Unë në fund të kësaj jave që filloi, ditën e hënë meqë është java amerikane, java e 100 vjetorit të marrëdhënieve me SHBA, jam shumë krenar që Kuvendi i Shqipërisë organizoi një konferencë me një personalitet të rëndësishëm siç është zoti Pompeo, i cili është dhe një kandidat potencial për zgjedhjet për president në vitin 2024. Unë mendoj se SHBA-të meritojnë respektim më të thellë të popullit shqiptar”, tha Balla.