Nga Prof. Akademik ANASTAS ANGJELI
Ende pa u rikuperuar pasojat e krizës ekonomike, rrjedhojë e pandemisë së Covid19, ekonomia globale në përgjithësi, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, po tronditet jo vetëm nga kriza energjetike (furnizimit me naftë, gaz), por edhe nga shkëputja e zinxhirit të furnizimit me lëndë të para dhe ajo që paraqitet si më e rrezikshme është se tashmë janë prezente sinjalet e mungesës së produkteve ushqimore.
Kjo, për shkak të ndërprerjes së zinxhirit me prodhimet e drithërave, veçanërisht të grurit. Kjo, sepse Rusia dhe Ukraina (në luftë), ky “…hambar i furnizimit me grurë të Europës” tashmë vazhdon të jetë kryesisht i bllokuar duke u shndërruar në shqetësim jo vetëm për vendet e Europës, por për ekonominë globale.
Çështja e sigurisë ushqimore, problematikat e sotme, pasojat, problematikat e sotme, pasojat dhe alternativat për zgjidhjen e kësaj krize të re janë kthyer në vëmendje të vendeve më të zhvilluara. Kjo, për faktin se çështjet e sigurisë ushqimore konsiderohen të rëndësishme për sigurimin e jetës njerëzore, të zhvillimit ekonomik, kanë rëndësi të veçantë dhe për stabilitetin global.
Vetëm rreth tri javë pas sulmit ushtarak rus në Ukrainë ishte Presidenti Macron i pari që paralajmëroi rrezikun e një krize ushqimore që po i kanosej ekonomisë globale, duke theksuar se kjo luftë do të sillte pasoja të renda në zinxhirin e furnizimit me mallra ushqimore dhe se rritja e çmimeve të tyre ishte e pashmangshme. Pas takimit të fundit të G7, edhe ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka paralajmëruar udhëheqësit ndërkombëtarë se lufta në Ukrainë do të vazhdojë, prandaj edhe duhet të përgatiten. Në një deklaratë për mediat ministri tha se liderët tani duhet të përgatiten për një luftë afatgjatë, e cila do të sjellë pasoja të rënda në mbarë botën.
“Unë do të theksoja gjithashtu se ne tani duhet të marrin masat për një konflikt që do të zgjasë, me pasojat që do të ndihen në nivel ndërkombëtar dhe veçanërisht në fushën e sigurisë ushqimore, tha ai. Gjithashtu, ai tha se bisedimet ndërkombëtare duhet të përqendrohen në rritjen e çmimeve të ushqimeve, pasi organizatat kanë paralajmëruar për një krizë globale ushqimore për shkak të luftës në Ukrainë.
Me të njëjtën gjuhë, në mënyrë të përsëritur, ka folur ministrja e Ekonomisë së Gjermanisë, e cila ka paralajmëruar se kriza e produkteve ushqimore tashmë ka trokitur, ndërsa ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e akuzoi Rusinë për “luftë të grurit”. Qeveria në Moskë përpiqet më qëllim që të zgjerojë luftën e Ukrainës në botë, tha Baerbock në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të shtunën. Bllokimi nuk është dëm kolateral i luftës. “Ne nuk duhet të jemi naivë”, u shpreh Baerbock.
Kjo bëri që në diskutimet e G7 të ishin në qendër të tyre efektet globale të luftës. “Lufta agresore ruse kundër Ukrainës si edhe veprimet e njëanshme të Rusisë për kufizimin e eksporteve agrare ukrainase kanë sjellë rritje të fortë çmimesh në tregjet e lëndëve të para”, thuhet në deklaratën përfundimtare. Kjo çon në një kërcënim të “sigurimit global të ushqimit”. Vendet e G7 i kanë bërë thirrje Rusisë të “ndalë menjëherë sulmet kundër infrastrukturës së rëndësishme të transportit, përfshirë edhe portet, me qëllim që ata të përdoren për eksportin e produkteve agrare të Ukrainës”.
PËRSE DHE SI PO NDODH “KRIZA E GRURIT”?
Së pari, siç e theksoi ditët e fundit Presidenti Baiden, “Do të ketë krizë, sepse Rusia dhe Ukraina janë hambari i Europës për grurë, për shembull”. Këtu është pasur parasysh fakti se këto dy vende janë në 5 vendet me te mëdha prodhuese dhe eksportuese të drithërave veçanërisht të grurit (që, siç dihet, shërben si lëndë e parë e prodhimit të miellit dhe gjithë produkteve ushqimore me bazë dhe përbërje mielli. Ukraina është ndër furnizueset më të rëndësishme të drithërave në mbarë botën.
Sipas shifrave të Organizatës së OKB-së për Ushqimin, më 2021 Ukraina zinte vendin e tretë si eksportuese e elbit dhe vendin e pestë për eksportin e grurit. Neve sot, një e dhjeta e grurit të butë dhe 13 për qind e misrit në botë, vjen nga Ukraina: dhe vetëm vendet evropiane importojnë më shumë se gjysmën e nevojave të tyre për misër nga Ukraina, Rusia është vendi i pare prodhues i grurit në botë me rreth 40 për qind. Së dyti, kjo luftë duket se do të zgjasë. Kësisoj ndërprerja e rrugëve dhe e zinxhirit të furnizimeve me grurë nuk është një çështje e përkohshme dhe afatshkurtër.
Lufta ka dëmtuar dhe bllokuar rrugët e transportit për furnizimet ndërkombëtare, infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe veçanërisht portet kryesore në Detin e Zi (në Odesa etj.) që janë qendrat kryesore të këtij transporti. 25 milion tonë drithëra ndodhen ndërkohë të bllokuara në portet ukrainase, kryesisht në Odesa. Këto drithëra nevojiten urgjentisht, kryesisht në vendet e varfra në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme etj.
Së treti, mungesa e drithërave, veçanërisht e grurit, ka rritur kërkesën, e shoqëruar kjo me rritjen e çmimit të tyre, shtuar këtu rritjen e çmimit të naftës, gazit, lëndëve të para po për të njëjtin shkak-luftës, po shoqërohet me inflacion të lartë në të gjitha vendet, që në fund të fundit po dhe do të ndikojnë më shumë në rritjen e nivelit global të varfërisë.
Se katërti, lufta ka shtuar pamundësitë për të realizuar të korrat dhe të mbjellat me drithë në Ukrainë, çka shton mundësinë e shtrirjes në kohe më të gjatë të kësaj krize. Së pesti, disa vende të tjera kanë marrë masa për të kufizuar eksportet e grurit (India), duke pakësuar sasinë e këtij produkti ne tregjet ndërkombëtare.
PËRPJEKJET PËR PËRBALLJEN ME KËTË KRIZË
Pra, lufta në Ukrainë do të ketë pasoja masive ndaj sigurisë për ushqime në mbarë botën. Është kjo arsyeja që Vendet e Industrializuara të grupit G7 (SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia) po punojnë për të zgjidhur këtë krizë (situatë të rrezikshme që pritet) tashmë që në fillimet e saj. Së pari, po synohet gjetja e rrugëve alternative për transportin e grurit nga Ukraina. Ukraina, për shkak të porteve të bllokuara nga Rusia në Detin e Zi, ndërkohë nuk mund të eksportojë më si më parë.
Për këtë arsye, Komisioni i BE-së do të mbështesë lehtësimin e transportin përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhave. Pas problemeve me shinat rumune të hekurudhës për shkak të traseve të ndryshme, po shikohet mundësia e alternativave të tjera të eksportit, si p.sh., ai përmes vendeve baltike.. Së dyti, po shtohen përpjekjet që të lirohen portet e bllokuara nga Rusia në Ukrainë. Për këtë, vendet e G7 i kanë bërë thirrje Rusisë të “ndalë menjëherë sulmet kundër infrastrukturës së rëndësishme të transportit, përfshirë edhe portet, me qëllim që ata të përdoren për eksportin e produkteve agrare të Ukrainës”.
Së treti, në synim të alternativave të tjera Vendet e G7-s po kërkojnë alternativa për transportin me anije të grurit nga Ukraina, drejt porteve detare të Vendeve Baltike, për të thyer bllokadën ruse në këtë drejtim. Por edhe në këtë drejtim duhet të shikohet, nëse plotësohen kushtet se si të ankorohen anijet në këto porte. Normalisht nga Ukraina mund të eksportohen 5-6 milionë tonë drithëra në muaj. Kjo mund të arrihet vetëm përmes rrugës detare, furnizimet përmes hekurudhës janë shumë më të pakta. Por, sipas Ministres së Jashtme të Gjermanisë, Baerbock “çdo ton grurë që del jashtë mund të ndihmojë pak që të zbutet kriza”.
Së katërti, SHBA, Kanadaja, Australia, Brazili, si prodhuesit e tjerë të mëdhenj botëror të grurit dhe drithërave të tjera kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në zgjidhjen e kësaj krize, edhe pse distanca e tregjeve dhe nevojat e tjera, nuk e favorizojnë shumë procesin. Së fundi, por jo më pak i rëndësishëm, është riorientimi i politikave të brendshme bujqësore dhe tregtare të çdo vendi dhe vendosja e prioriteteve ne përputhje me situatën e krijuar.
KRIZA USHQIMORE DHE SHQIPERIA
Edhe pse sinjalet për lëkundje në tregun e produkteve ushqimore po shfaqen, kryesisht për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me drithëra (vendi ynë ka siguruar për një kohë vazhdimin e një pjese të furnizimit me drithëra) dhe rritjes se çmimeve dhe inflacionit , duket se kjo krizë ende nuk ka goditur rëndë, por ka trokitur dhe te ne.
Edhe pse jemi në prag të sezonit të të korrave (por siç thotë një thënie popullore “çfarë të mbjellësh, do të korrësh”), nëse kjo krize globale do të thellohet, natyrshëm që goditja dhe te ne nuk përjashtohet. Pasi si kriza energjetike, ajo e lëndëve të para, inflacioni në rritje, kryesisht në ekonominë tonë, janë të importuara. Kësisoj, në përballje me këtë krizë duhen marrë masa dhe duhen gjetur rrugë alternative dhe konkretisht.
Së pari, kërkohet një riorientim i zinxhirit të furnizimeve tregtare për biznesin për drithërat-grurin dhe produktet ushqimore (duke qenë se kryesisht janë mallra importi).
Së dyti, të riorientohen politikat bujqësore ndaj fermerëve drejt prodhimit, për të cilat ka mungesa në treg për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit duke shtuar mundësitë e plotësimit të nevojave sa të jetë e mundur me prodhime vendase.
Së treti, në funksion të këtij qëllimi nevojitet mbështetje financiare (për prodhimin e këtyre produkteve) ndaj fermerëve.
Së katërti, është i domosdoshëm rishikimi i menaxhimit të rezervës shtetërore, si nga pikëpamja e llojit të produkteve ushqimore dhe nga pikëpamja e kohëzgjatjes (afatit të tyre), për të perballuar sa të jetë e mundur ndikimin dhe pasojat që mund të vijnë nga kriza globale ushqimore.
Siguria ushqimore është shume e rëndësishme, ajo është me rëndësi jetësore- humane, strategjike, ekonomike, por edhe politike. Së pesti, që mbetet gjithnjë prioritet, është ristrukturimi i ekonomisë duke konsideruar problematikat që nxjerrin krizat globale të tre viteve të fundit (Pandemia e Covid-19, lufta në Ukrainë dhe pasojat dhe kriza energjetike, ajo e furnizimit me lëndë të para dhe në veçanti me produkte ushqimore).
Me situatat e krijuara në zhvillimet e ekonomisë globale, me krizat e shfaqura dhe ndërthurjen e tyre, problematikat dhe pasojat e tyre, përfshi këtu dhe Sigurinë Ushqimore, vështrimi dhe masat për përballjen e tyre duhet të jenë afatmesme dhe afatgjatë, për të garantuar nja të ardhme më të sigurt zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik e social.