Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja në lidhje me sasinë e drogës, që u kap sot në Portin e Durrësit, në një anije me qymyr që vinte nga Kolumbia. Në emisionin “Open”, Lala tregoi itinerarin që ka ndjekur anija derisa mbërriti në Shqipëri. Sipas informacioneve që ajo disponon, anija ishte nisur nga Kolumbia në 26 prill dhe mbërriti në port ditën e sotme.
Në lidhje me kompaninë që kishte porositur qymyrin, Lala nuk jep detaje, por thotë se është një kompani që merret me kromin.
“Është një anije e cila ka qymyr, është nisur dhe nuk ka patur ndalesa. Nga Kolumbia është nisur në 26 prill dhe ka mbërritur më 16 maj në Portin e Durrësit. Mëngjesin e sotëm është konstatuar edhe sasia e lëndës narkotike e llojit kokainë. Ka qenë e ndarë në 53 pako. Anija ka pasur për kapiten një shtetas rus, është shoqëruar në orët e para të mëngjesit i gjithë ekuipazhi.
Ne nuk e dimë sa është sasi konkrete e lëndës narkotike. Po punohet dhe deri nesër mbrëma mund të përfundojë shkarkimi i qymyrit.
Kompania është një kompani që merret me kromin. Kam përshtypjen se është kompani shqiptare”, u shpreh gazetarja.
Por pse këtë herë u zgjodh një anije me qymyr dhe jo me banane? Sipas saj kjo për faktin se qymyri nuk i nënshtrohet kontrollit me skaner. Lala u shpreh se ky rast i trafikut të drogës nuk është rastësi, pasi po trajtohet nga Prokuroria e Posaçme dhe dyshohet se ka pasur informacion për një grup të strukturuar kriminal.
“Kjo është herë e parë që kapet drogë në qymyr, kjo lidhet edhe me faktin se nuk kalohet në skaner. Edhe pse policia nuk e pranon, sot u tentua të shitet si një aksion rastësor, por nga informacionet që kam nuk është një histori rastësore. Në rastin konkret është një rast që po trajtohet nga Prokuroria e Posaçme dhe ka patur informacion paraprak se bëhet fjalë për një grup i strukturuar kriminal”, deklaroi gazetarja Koldiana Lala.panorama