Një nga nëntë kandidatët për kreun e degës së Partisë Demokratike të Shkodrës është tërhequr nga gara.
Bëhet fjalë për Tedi Koplikun, i cili renditej i teti mes nëntë kandidatëve që ishin propozuar ka njoftuar vendimin në rrjetet sociale.
Si arsye, ai ka dhënë kohën e shkurtër në dispozicion për të bërë fushatë dhe për të bindur anëtarësinë.
“Ndihem shumë i nderuar nga propozimi që është bërë nga baza për kandidaturën time, për kreun e Partisë Demokratike Dega Shkodër.
Po ashtu, i nderuar nga miratimi i Komisionit të Rithemelimit për këtë kandidaturë. Që në fushatën e parë në të cilën kam marr pjesë në 2005 dhe deri sot pas 17 vitesh, Partia Demokratike, Dega Shkodër ka pas një shkretim të cilin, cilido që të marrë drejtimin, duhet ta shërojë.
Lajmi i mire është që të hënën do vendosin demokratët, por demokracia është çështje numrash dhe organizimi.
Pavarësisht ideve, apo një projekti për të bashkuar demokratët, koha është e shkurtër për ti bindur, për të më besuar votën. I bindur që në këtë mënyre i shërbej më mire garës, duke i dhënë kohë vetes për të qenë me i dobishëm në një të ardhme të afërt, VENDOS TE TERHIQEM.
Gjithmonë kam insistuar, në rrethe miqsh apo nëpërmjet postimeve të ndryshme, që e vetmja mënyre për të ndryshuar Shqipërinë është duke ju imponuar politikës, pra vendimmarrjes. Nuk ndryshojmë asgjë duke kritikuar nga jashtë, por duke i dhënë drejtim rrjedhës së politikës dhe politik bërjes me angazhim personal. Megjithatë , secili ka kohën e vet.
Unë jam pas kësaj ftese edhe më i motivuar që kapacitetet e mia ti vë në shërbim te vendit tim. Uroj gjithë kandidatët për një garë të drejtë dhe që pas kësaj gare te dalim më të fortë dhe mbi të gjitha, më të bashkuar. Të ndezim gjithashtu të gjithë motorët për të hapur Partinë Demokratike, që në atë derë te drejtohen edhe një herë zonjat e zotërinjtë e Shkodrës, duke parë aty projektin e shpresës dhe të ndryshimit.
Duke filluar nga rinia e duke përfunduar tek ata që kanë dhënë çdo gjë për atë parti. Sfida është e madhe, por me atdhedashuri është lehtësisht e realizueshme. Koha për bashkim!”, shkruan Kopliku në rrjetin social.