Policia ka arrestuar ditën e sotme 4 zyrtarë të Kadastrës së Sarandës.
Ata akuzohen se jepnin certifikata pronësie për toka në zonën bregdetare.
Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit Andri Dhima 34 vjeç i cili ka qenë dhe drejtori i Kadastrës.
Është arrestuar Vasil Lango 37 vjeç me detyrë përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, si dhe Saimir Braho dhe Erliton Ymeri me detyrë hartograf në Kadastrën e Sarandës.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasja K. S., 34 vjeçe, lindur në Sarandë dhe banuese në Bolonja, Itali, me detyrë ish-drejtoreshë e ASHK Sarandë.
Sipas policisë, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Saradës dhe të Ksamilit.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISE
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “HESHTJA 2”.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 4 shtetasve. Shpallet në kërkim bashkëpunëtorja e tyre. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.
Hetimi i këtij rasti është bërë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në vitin 2021, dhe në bazë të kallëzimit penal të ardhur nga Drejtoria e Antikorrupsionit pranë Ministrisë së Drejtësisë, në vitin 2022.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, pas një pune hetimore të mirorganizuar, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “HESHTJA 2”. Si rezultat i këtij operacioni, është bërë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve pa leje, në Sarandë dhe Ksamil, si dhe janë ekzekutuar masat e sigurisë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndaj 4 shtetasve:
A.Dh., 34 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë ish-drejtor i ASHK Sarandë;
V.L., 37 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, pranë ASHK Sarandë;
S.B., 32 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë hartograf pranë ASHK Sarandë;
E.Y., 37 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë hartograf pranë ASHK Sarandë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasja K. S., 34 vjeçe, lindur në Sarandë dhe banuese në Bolonja, Itali, me detyrë ish-drejtoreshë e ASHK Sarandë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Saradës dhe të Ksamilit.
Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.