Aktori i humorit Gazmend Paja ka reaguar pas akuzave se ai ka përfituar 133 m2 tokë në Dhërmi për të ndërtuar një resort luksoz.
Ai shprehet se nuk ka përfituar asnjë metër tokë nga shteti, ndërsa sqaron se kompanitë e Startek dhe Ecotech kanë nënshkruar një marrëveshje me një kompani të huaj, të specializuar në fushën e turizmit për të ndërtuar një resort turistik. Paja thotë se çdo procedurë është ndjekur në bazë të ligjit, duke i cilësuar akuzat si shpifje.
Paja ka përfituar 133 mijë metra katrorë tokë për të ndërtuar “Dhërmi Restort” një kompleks luksoz që ka fokusin turizmin elitar, tregon vendimi Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Në këtë hapësirë do ndërtohen vila dhe një hotel me 5 yje. Hoteli do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë.
Pjesa tjetër prej 108 mijë metrash do përdorët për të ndërtuar vilat të cilat do të shiten nga kompanitë dhe nuk sjellin asnjë zhvillim publik për turizmin. Kompania ‘Startek’ në vitin 2017 aplikoi vetëm për të fituar të drejtën e ndërtimin të këtij resorti por që nuk e bindi dot komitetin e investimeve strategjike.
Kërkesa u kthye për plotësimin e dokumentacionit. Projekti u fitua dy vite më vonë dhe aty u bashkua edhe kompania e Gazmend Pajës Në faqen zyrtare të projektit thuhet se ai do të zhvillohet në pronë private dhe një pjesë në tokë publike.
Ligji i investimeve strategjike është shoqëruar me debate të mëdha pikërisht për vënien në dispozicion të pronës shtetërore të bizneseve të cilët nuk zhvillojnë resorte për të pritur turistë, por që ndërtojnë vila dhe fitimet shkojnë tek kompanitë.
REAGIMI I PLOTE
“Nuk kam përfituar asnjë cm2 toke nga shteti. Në vijim të shpifjeve të turpshme dhe të motivuara politikisht që qarkullojnë në media, dëshiroj të sqaroj opinionin publik për sa vijon: Kompanitë Startek dhe Ecotech kanë nënshkruar një marrvëshje me një kompani të huaj, të specializuar në fushën e turizmit për ndërtimin e një resorti turistik. Për këtë qëllim, kemi vënë në dispozicion një pronë të cilën e kemi blerë nga pronarë të ligjshëm si dhe asete financiare të garantuara nga Bankat.
Kemi aplikuar për investitor strategjik, si një e drejtë që na jep ligji në bazë të vlerës së investimit. Kushti Ligjor për marrjen e statusit të mësipërm është: dakortësia me gjithë pronarët e ligjshëm të pronave në këtë zonë, ku me një pjesë të pronarve janë nënshkruar marrvëshjet përkatëse, ndërsa me pjesën tjetër jemi ende në fazë negocimi. Përgënjeshtrojmë me forcë shpifjet në qarkullim dhe theksoj se: që nga fillimi i këtij procesi e deri më sot, nga ana jonë, nuk është përfituar asnjë cm2 tokë shtetërore”, shkruan Paja.