Teksa Rusia intensifikon luftën e saj në Ukrainë – duke vrarë civilë dhe duke nxitur krizë të madhe të refugjatëve – presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur të martën, 8 mars, një ndalesë në importet e naftës ruse. Kritikët e Rusisë kanë thënë se sanksionimi i eksporteve të energjisë do të mund të jetë mënyra më e mirë – ose e vetme – që Moska të tërheqë trupat.
Një embargo e plotë do të ishte më efektive nëse do të përfshinte edhe aleatët evropianë, të cilët po ashtu dëshirojnë që të ndalet dhuna në Ukrainë dhe janë të shqetësuar për rrezikun që përbën Moska në kontinentin evropian.
Megjithatë, ende është e paqartë nëse Evropa do të marrë pjesë në embargo, ndonëse Britania e Madhe ka bërë të ditur të martën se do të heqë dorë gradualisht nga nafta ruse deri në fund të vitit 2022.
Për dallim nga Shtetet e Bashkuara, sektori i energjisë në Evropë është tejet i varur nga importet e Rusisë, e cila njihet si shteti i dytë më i madh në botë që eksporton naftë të papërpunuar, pas Arabisë Saudite. Nëse SHBA-ja mund të zëvendësojë sasinë që merr nga Moska, Evropa nuk mund të veprojë ashtu, të paktën në një të ardhme të afërt.
Për më shumë, secila ndalesë në eksportet e naftës ruse mund të rrisë çmimet e naftës dhe gazit në të dyja kontinentet dhe të përballë me vështirësi konsumatorët, bizneset, tregjet financiare dhe ekonominë globale.
Çfarë ndodh me ndalesën amerikane në naftën ruse?
Në periudhën e rritjes së çmimeve të naftës në SHBA – një gallon ka arritur në mesatarisht 4.17 dollarë amerikanë të martën – administrata e Bidenit është përballur me presion në rritje për të vendosur sanksione tjera ndaj Rusisë, përfshirë ndalesën në importet e naftës.
Tani për tani, një ndalesë e zgjeruar edhe nga Evropa, nuk duket e realizueshme. Të hënën, kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka bërë të qartë se shteti i tij – konsumatori më i madh i energjisë ruse në Evropë – nuk ka në plan që t’i bashkohet ndalesës.
Ndikimi i luftës në Ukrainë në furnizimin me gaz rus në Evropë
Si përgjigje, Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, ka dhënë shenja se SHBA mund të veprojë e vetme, apo me një grup të vogël të aleatëve.
“Jo secili shtet ka bërë saktësisht të njëjtën gjë”, ka thënë Sherman, “mirëpo ne të gjithë e kemi pranuar se është e domosdoshme që të vendosen kosto të rënda”.
Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi, ka shprehur mbështetje për ndalesën amerikane në naftën ruse, dhe ka përmendur veprimin e Bidenit, i cili udhëheq aleatët e SHBA-së për të lëshuar 60 milionë fuçi të naftës nga rezervat strategjike, duke përfshirë 30 milionë fuçi nga rezervat amerikane, me qëllim të stabilizimit të tregut.
A mund të dëmtojë Moskën vetëm ndalesa amerikane?
Ndikimi ndaj Rusisë mund të jetë minimal.
Shtetet e Bashkuara importojnë sasi të vogël të naftës ruse dhe nuk blejnë nga ajo gaz natyror.
Vitin e kaluar, 8 për qind të importeve amerikane të naftës dhe produkteve të saj janë nisur nga Rusia.
Për shkak që importet amerikane nga Rusia janë modeste, Rusia mund të shesë atë naftë diku tjetër, ndoshta në Kinë apo Indi.
Me siguri do t’i duhet ta shesë atë më lirë, sepse secilën herë e më pak blerës janë duke pranuar naftën ruse.
Rusia kërcënon me ndalimin e gazit të saj në Evropë
Nëse eventualisht Rusia bllokohet nga tregjet globale, shtetet si Irani dhe Venezuela mund të “mirëpriten” si burime të naftës, ka thënë, Claudio Galimberti, zëvendëspresident për analiza në kompaninë, Rystad Energy.
Këto burime shtesë ka mundësi që të stabilizojnë çmimet.
Një ekip i zyrtarëve të administratës së Bidenit ka qenë në Venezuelë gjatë fundjavës për të diskutuar për energjinë dhe çështje tjera, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Ajo ka thënë se zyrtarët kanë diskutuar për një mori çështjesh, përfshirë sigurinë e energjisë.
“Duke eliminuar një pjesë të kërkesës, ne synojmë të ndikojmë në uljen e çmimit të naftës ruse dhe kështu Rusia të fitojë më pak”, ka thënë, Kevin Book, drejtor në Clearview Energy Partners, kompani me bazë në Uashington.
“Në teori, kjo është rruga për të zvogëluar fitimin e Rusisë në secilën fuçi që shet. Ndoshta jo shumë, por një pjesë po. Pyetja më e rëndësishme është nëse do të jetë më shumë presion nga ana tjetër e Atlantikut”.
Si mund të ndikojë kjo ndalesë në çmime?
Lajmi që SHBA-ja mund të ndalojë importet e naftës ruse, ka rritur çmimet në shkallën më të lartë, pasi një gallon është shitur mesatarisht për 4.17 dollarë të martën.
Një muaj më parë, një fuçi naftë është shituar për gati 90 dollarë. Tani çmimet kanë shkuar në 130 dollarë për fuçi, pasi blerësit kanë hequr dorë nga nafta e papërpunuar ruse.
Kompania Shell ka njoftuar të martën se do të ndalë blerjen e naftës ruse dhe gazit të saj natyror, si dhe do të ndalë të gjitha operacionet në këtë shtet, një ditë pasi ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka kritikuar këtë gjigant të energjisë për blerje të naftës ruse.
Shell tërhiqet nga Rusia
Analistë të energjisë kanë paralajmëruar se çmimet mund të shkojnë në deri 160 dollarë apo 200 dollarë për fuçi nëse blerësit vazhdojnë t’i shmangen naftës së papërpunuar ruse.
Ky trend mund të çojë çmimet e naftës amerikane në 5 dollarë për gallon, një skenar që Biden dhe figura tjera politika dëshirojnë ta evitojnë.
A janë duke rënë importet ruse?
Industria amerikane e naftës ka thënë se i bashkohet synimit për të zvogëluar varësinë ndaj burimeve të jashtme të energjisë dhe është e përkushtuar për të punuar me administratën Biden dhe Kongresin. Edhe pa sanksione, disa pronarë amerikanë të rafinerive të naftës kanë shkëputur kontratat me kompanitë ruse.
Importet e naftës së përpunuar ruse dhe produkteve të saj kanë rënë.
Sasi të kufizuara të naftës
Të dhënat preliminare nga Departamenti amerikan i Energjisë, kanë treguar se importet në naftën e papërpunuar ruse kanë rënë në zero në javën e fundit të shkurtit.
Instituti për Naftë ka thënë se nuk ka qëndrim zyrtar për ndalesën ndaj importeve të naftës ruse.
Megjithatë, ka thënë se do të zbatojë secilin kufizim të prezantuar.
A mund të veprojë edhe Evropa njësoj?
Ndalesa në naftën dhe gazin natyror rus do të vendoste barrë të madhe ndaj Evropës.
Evropa merr rreth 40 për qind të gazit natyror nga Rusia për ngrohje të shtëpive, rrymë dhe përdorim nga industri të ndryshme.
Ky vend plotëson edhe një çerek të kërkesave të Evropës sa i përket naftës.
Zyrtarët evropianë janë duke shqyrtuar mundësi për të zvogëluar varësinë ndaj Rusisë, por kjo gjë do të marrë kohë.
Sekretari britanik për Biznes, Kwasi Kwarteng, ka thënë se shteti i tij do të heqë dorë gradualisht nga importet e naftës dhe produkteve të saj, “për t’iu dhënë tregut dhe bizneseve kohë të mjaftueshme për të zëvendësuar importet ruse”, të cilat janë rreth 8 për qind e totalit të kërkesës britanike.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka mbrojtur të martën vendimin e Evropës për të përjashtuar sektorin rus të energjisë nga sanksionet e Perëndimit.
“Sanksionet janë zgjedhur qëllimshëm për të pasur ndikim në ekonominë ruse dhe në regjimin e (presidentit rus, Vladimir) Putinit, mirëpo janë zgjedhur me qëllim edhe që ne si ekonomi, dhe si komb, t’i mbajmë për periudhë të gjatë”, ka thënë Habeck.
“Sjellja e pamenduar mund të çojë në drejtim të kundërt”.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se Rusia do të ketë “çdo të drejtë” për t’ia ndalur Evropës furnizimet me gaz përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, si hakmarrje ndaj Gjermanisë për pezullim të gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2 – projekt që nuk është funksionalizuar ende.
Ai ka shtuar se autoritetet ruse nuk kanë marrë ende ndonjë vendim dhe se “askush nuk do të përfitonte nga diçka e tillë”.
Kjo deklaratë ka qenë ndryshe prej atyre që kanë bërë më parë autoritetet ruse duke thënë se nuk e mendojnë ndaljen e gazit rus në Evropë.
Nafta zëvendësohet më lehtë sesa gazi natyror.
Shtetet tjera mund të rrisin prodhimin e naftës dhe ta dërgojnë në Evropë.
Mirëpo pjesa më e madhe e naftës duhet të zëvendësohet, dhe kjo gjë do të ndikonte në rritje të çmimeve edhe më shumë, pasi ajo naftë duhet të transferohet nga një vend në tjetrin.
Zëvendësimi i gazit natyror, që Rusia ofron për Evropën, është mision pothuajse i pamundshëm në periudhë afatshkurtër.
Pjesa më e madhe e gazit natyror që Rusia ofron në Evropë, bartet përmes gazsjellësve.
Për ta zëvendësuar, Evropës do t’i duhet të importojë gaz të lëngshëm natyror.
Kontinenti evropian nuk ka mjaftueshëm gazsjellës që bartin gazin nga impiantet e importit bregdetar në zonat më të largëta të kontinentit.
Në muajin janar, dy të tretat e eksportit të gazit të lëngshëm natyror të SHBA-së kanë shkuar në Evropë.
Disa anije të mbushura me këtë gaz të lëngshëm fillimisht ishin nisur në Azi, mirëpo janë ndalur në Evropë, pasi blerësit kanë ofruar çmim më të mirë, sipas kompanisë së energjisë, S&P Global Platts.
Prodhuesit amerikanë të naftës dhe gazit mund të tentojnë të prodhojnë më shumë gaz natyror, ndonëse pajisjet e tyre të eksportit tashmë funksionojnë me kapacitet të plotë. Pajisjet dhe përpjekjet tjera do të kërkojnë vite dhe miliarda dollarë shtesë./ Associated Press