Gjatë procesit të votimit, një incident është shënuar këtë të dielë në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Spitallës, në shkollën Naim Babameto, ku ka disa qendra votimi.
Aty është krijuar grumbullim dhe ka pasur një konflikt, në të cilin është përfshirë Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha.
Vetë Malltezi tregoi se çfarë ka ndodhur dhe akuzoi për prani të policëve bashkiakë që intimidojnë votuesit.
“Në shkollën ‘Naim Babameto’, ku ka 8 QV nuk ka pasur fare prezencë policie, ndonëse e kërkon ligji. Kemi pasur prezencë të policëve bashkiakë pa uniformë që bënin intimidim të zgjedhësve. I kemi identifikuar, i kemi kërkuar të largohen, e kemi filmuar këtë gjë në mënyrë që të identifikonim paligjshmërinë. kanë ardhur 20-30 militantë të PS dhe kanë grabitur telefonin.
Nuk ka pasur dhunë ndaj meje, ka pasur fjalosje. Ma morën celularin dhe e fshinë. Nuk bëmë denoncim se nuk kishte policë fare, ndoshta më vonë. Policia mund të rrinte jashtë dhe të siguronte që brenda të mos kishte aktivistë. ma kthyen telefonin, por kishin fshirë videon”, tha Malltezi.