Të falësh do të thotë “të pushosh së ndjeri pakënaqësi ndaj dikujt që ju ka mërzitur”. Megjithatë, është klishe të fillosh me një përkufizim fjalori sepse falja është një nga konceptet më të keqkuptuara në psikologji. Është e vështirë për t’u kuptuar dhe e vështirë për t’u bërë, por përfitimet e shëndetit mendor dhe fizik janë të qarta.
Le të shohim fillimisht se çfarë është dhe çfarë nuk është falja. Së pari, çfarë është:
– Falja është heqja dorë e një ankese ose gjykimi që ju mbani kundër dikujt tjetër ose vetes suaj. Pa të, ngjarja origjinale e lëndimit mund të vazhdojë të lidhë vëmendjen tuaj dhe t’ju mbajë të lidhur me të kaluarën.
– Falja do të thotë të pranosh realitetin e asaj që ka ndodhur dhe të gjesh një mënyrë për të jetuar në një gjendje zgjidhjeje me të, duke vazhduar produktivisht jetën.
– Falja bëhet për përfitimin tuaj. Kur falni, ju çlironi veten nga pakënaqësia, dhimbja dhe ngecja me të kaluarën. Duke falur, ju mund të jetoni plotësisht në të tashmen.
Çfarë nuk është falja:
– Falja nuk është e njëjtë me të harruarit. Kur falni dikë, nuk do të thotë që ju harroni apo justifikoni veprimet e tij.
– Falja nuk do të thotë se nuk duhet ose nuk mund të keni më ndjenja për situatën dhe nuk do të thotë se nuk ka asgjë më tej për të zgjidhur.
– Falja nuk është diçka që e bëni për të mirën e dikujt tjetër. Kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që duhet të dini për të.
Falja është e mirë për shëndetin tuaj, por ka shumë arsye pse mund të mos e bëni.
Së pari, ju mund të dëshironi hakmarrje. Duke mos falur, ju ndiheni në kontroll të situatës dhe mund të keni frikë se falja do të thotë ta humbisni atë.
Së dyti, ju nuk dini si ta zgjidhni situatën, kështu që është më e lehtë të qëndroni fshehur pas pakënaqësisë.
Së treti, ju dëshironi të qëndroni të lidhur me personin që ju lëndoi, dhe ndërkohë që zemërimi dhe pakënaqësia nuk janë pozitive, duke mos falur mund ta mbani lidhjen.
Së katërti, është një mënyrë për të mbajtur distancën. Ndihesh më i sigurt kur je i shkëputur emocionalisht nga personi që të ka lënduar.
Së pesti, ju jeni të lidhur me pakënaqësinë dhe zemërimin sepse kjo ju sjellë adrenalinë.
Dhe e fundit, por ndoshta arsyeja më e rëndësishme: Ju nuk e dini se si falja do t’ju sjellë dobi!
Sipas një studimi të botuar në Journal of Health Psychology, “Ashpërsia më e madhe e stresit gjatë gjithë jetës dhe nivelet më të ulëta të faljes parashikonin në mënyrë unike shëndetin mendor dhe fizik më të keq”. Studimi tregoi se “zhvillimi i një stili përballues më falës mund të ndihmojë në minimizimin e çrregullimeve të lidhura me stresin”.
Në një studim tjetër, autorët treguan se “falja më e madhe shoqërohet me më pak stres dhe, nga ana tjetër, një shëndet më të mirë mendor. Kështu, strategjitë për kultivimin e faljes mund të kenë efekte të dobishme në stres dhe shëndet”.
Pra, tashmë e kuptoni idenë: Stresi rrit shanset për shëndet të dobët fizik dhe mendor, ndjenjat e zemërimit dhe pakënaqësisë rrisin stresin tuaj dhe duke mos falur të tjerët, ju mbani zemërimin dhe pakënaqësinë.
Për ta thënë akoma më thjesht, falja është më e mirë për ju sesa për përsonin që falni, prandaj bëjeni më shpesh.anabel