Gazetari i CNN, Frederik Pleitgen raporton se rusët po dërgojnë në Ukrainë sistemin flakëhedhës TOS-1, një armë tepër e rrezikshme dhe shkatërrimtare për armikun.
“Ushtria ruse po dërgon flakëhedhësit TOS-1, të cilët lëshojnë predha termobarike”, tha Pleitgen, i cili ndodhet në qytetin rus Belogorod, në kufi me Ukrainën. “Këto armatime të rënda po shkojnë në Kharkiv, por ka edhe disa trupa ruse që po kthehen. Me sa duket rusët po bëjnë rotacion të forcave të tyre atje, për të vijuar operacionin ushtarak”, tha ai.
Sistemi raketor TOS-1 është i prodhuar që në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe është përdorur për herë të parë në luftën në Afganistan në fund të viteve 1980, ndërsa së fundmi është përdorur në Siri. Testimet e këtyre raketave u kryen së fundmi në Bjellorusi, gjatë stërvitjes së përbashkët të dy ushtrive.
Ky sistem është vendosur mbi shasi tanku dhe është i projektuar për të goditur fortifikimet e kundërshtarit. Në vitin 2015, OSBE raportoi se kjo armë është parë të përdoret nga rebelët në lindje të Ukrainës.
Ndërkohë, Ministria britanike e Mbrojtjes raporton se pjesa më e madhe e trupave ruse janë tashmë vetëm 30 kilometra larg qendrës së Kievit. Por ndërkohë që Rusia thotë se nuk ka asnjë viktimë nga lufta deri tani, britanikët thonë se shifra është shumë më e lartë nga sa kishin parashikuar autoritetet ruse.
Dita e tretë e sulmit rus, çfarë duhet të dini
Luftimet përreth Kievit kanë vijuar përgjatë natës. Ushtria ukrainase thotë se ka arritur të zmbrapsë forcat ruse nga bazat e saj pranë qyteteve kryesore.
Një godinë banimi në Kiev është dëmtuar nga bombardimet.
Në mëngjes, Presidenti Volodymyr Zelensky postoi një video të tij në qendër të Kievit, duke hedhur poshtë raportimet se kishte urdhëruar dorëzimin dhe u zotua se Ukraina do të mbrohej.
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se forcat e saj kanë marrë nën kontroll qytetin juglindor Melitopol, por Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se ka dyshime mbi këtë pretendim.
Rreth 25 shtete të ndryshme kanë rënë dakord që të ndihmojnë Ukrainën me armatime.
Ministria ukrainase e Shëndetësisë thotë se deri tani 198 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe dy fëmijë, dhe më shumë se 1000 persona janë plagosur.
Polonia refuzon të luajë kundër Rusisë në mars një ndeshje futbolli të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se 100 mijë persona janë larguar nga Ukraina në 48 orët e fundit./A2