Ukraina ndodhet prej 3 ditësh në pushtimin rus. Forca të shumta po sulmojnë vendin në zemër të Europës, nga toka, deti dhe ajri, me të vetmin synim për të rrëzuar qeverinë në Ukrainë e për të vendosur një drejtues pro rus.
Mirëpo, ushtria dhe populli duket se nuk duan që të humbasin pavarësinë ashtu sikurse ndodhi me rajonin e Krimesë. Të gjitha janë mobilizuar dhe kanë marrë në dorë armët, për të zmbrapsur armikun që lëshon raketa mbi aeroporte, spitale dhe baza ushtarake.
Vendasit këtë herë kanë me vete dhe presidentin Zelensky. 44-vjeçari që erdhi rishtaz në politikë nga showbizz, si aktor humori që as në skenarët e vetë nuk e kishte parashikuar se do të drejtonte Ukrainën e do të ndodhej midis një lufte që nuk ishte parë në këto zona që prej vitit 1945.
Profil – Kush është Volodymyr Zelensky
Presidenti i Ukrainës ka lindur në 25 janar 1978 nga prindër hebrenj, në qytetin e Kryvyy Rih, pjesa jugore e Ukrainës. Në shkollë mësoi rusisht por me kalimin e viteve fitoi rrjedhshmëri në gjuhën ukrainase dhe atë angleze.
Në vitet 1995 nisi Universitetin për t’u diplomuar për juridik në vitin 2000. Kur ishte akoma student, Zelensky u aktivizua në teatër. Rolet si dhe përgatitja e tij do ta kthenin teatrin në fokusin kryesor.
Aktor dhe humorist, u zgjodh si president i Ukrainës në vitin 2019. Platforma e tij kundër korrupsionit fitoi mbështetje të gjerë, shkruan newsbomb.al. Një video e publikuar në rrjetet sociale teksa ai aktronte dhe mbante një fjalim për korrupsionin në Ukrainë, u bë virale dhe njerëzit filluan ta ndiqnin.
Kjo mbështetje përkthye dhe në vota dhe në vitin 2019 ai mposhti ish-presidentin Poroshenko. Pak ditë pasi morin detyrën pati dhe përballjen e parë në distancë me presidentin rus Vladimir Putin.
Ky i fundit për t’ia zbehur pushtetin u ofroi pasaporta qytetarëve në zonat e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës. Zelensky ju përgjigj me atë që dinte të bënte më mirë, publikoi një video në Youtube dhe përqeshi ofertën e presidentit Putin.
Dy vitet e para të punës ishin mjaft të vështira dhe shumë ishin të bindur se ai do të dështonte, duke nisur nga karriera e tij dhe ngjarjet që e kishin shoqëruar në botën e shoubizit si një aktor humori. Ish-presidentit Donald Trump “i hapi punë” kur Kongresi nisi një hetim për të se nuk i dha ndihëm ushtarake 400 milionë dollarëshe.
Në pushtet erdhi Joe Biden teksa marrëdhëniet Ukrainë-SHBA ndryshuan së tepërmi.
Në fund të vitit 2021 Rusia nisi një grumbullim masiv të trupave përgjatë kufirit me Ukrainën. Forca shtesë ruse u dërguan në Bjellorusi – gjoja për stërvitje të përbashkëta, por që prapavija ishte tepër e qartë. Agjencitë perëndimore të inteligjencës thanë se lëvizjet ishin një pararendës i qartë për pushtim.
Putin nga ana e tij mohoi çdo qëllim të tillë. Lufta me deklarata vazhdonte dhe të gjithë ishin të bindur se rruga drejt një pushtimi kishte nisur e ishte pa kthim. Në datën 21 shkurt 2022, presidenti rus njohu Donetskun dhe Luhanskun si krahina të pavarura dhe dërgoi “paqeruajtës” në të dy rajonet.
Faktori ndërkombëtar e dënoi ndërhyrjen e Rusisë në këto zona që i përkasin Ukrainës, edhe pse janë në shumicë të populluara nga separatistët rusë. Kievi zyrtar u përpoq të mos i “frynte zjarrit”. Mëngjesin e 24 shkurtit, presidenti Zelensky drejtoi një apel për paqe me popullin rus.
Po atë mëngjes, presidenti rus njoftoi fillimin e një “operacioni special ushtarak”. Ajo që perëndimorët kishin paralajmëruar, ndodhi. Raketat filluan të binin mbi aeroporte, ndërtesa civile dhe bazat ushtarake të Ukrainës.
Trupat ruse dhe automjetet e blinduara u derdhën nga Rusia, Krimea dhe Bjellorusia. Luftime të ashpra po zhvilloheshin kryesisht në kufijtë jugor dhe lindor të Ukrainës. Numri i të vrarëve rritje, ndërsa Moska zyrtare pretendonte se po sulmonte vetëm infrastrukturën ushtarake.
Pamjet po i shikonte gjithë bota, raketat binin mbi blloqe apartamentesh ku kishte civilë të pafajshëm.
Me një ushtri të vogël në krahasim me rusët, presidenti ukrainas nuk u dorëzua. Guximi i politikanit 44 vjeçar që hyri rishtaz në politikë i çuditi të gjithë. Daljet e pasionuara të presidentit Zelensky në TV dhe rrjete sociale u shtuan gjatë luftës.
Vazhdimisht ai “karikonte” ushtrinë dhe popullin e tij të rezistonin.
“Unë jam duke qëndruar me të tjerët. Objektivi numër një i armikut jam unë, e dyta familja ime!” Edhe pse e dinte se çfarë e priste, nuk e braktisi Kievin. Luftimet vazhdojnë prej tre ditësh, shkruan newsbomb.al. Mediat shkruajnë se në krye të komandës për Kievin është vetë presidenti Volodymyr Zelensky.
Populli e mbështet dhe ka marrë në dorë armët për të mbrojtur vendin.
Në mbrëmje presidenti u shfaq vetë në rrugët e kryeqytetit Kiev, me ministrat, duke rrëzuar propagandën ruse se kishte braktisur vendin. “Ne jemi këtu, po mbrojmë pavarësinë tonë, po mbrojmë shtetin.”
Në të njëjtën kohë sulmet me raketa dhe avionë bombardues vazhdonin. Sirenat e luftës dëgjoheshin në gjithë zonën. Vendasit kanë krijuar portretin e një heroi. Volodymyr Zelensky nuk ia mbathi luftës.
“Ndërsa ju sulmoni, do të shikoni fytyrat tona, jo shpinën tonë”, iu drejtua Rusisë.
Shpërthime të forta raportoheshin në gjithë Kievin. Presidenti doli përsëri në TV. “Këtë natë do të kemi një sulm të madh. Fati i Ukrainës do të vendoset sonte. “Popullin e përgatiti që të ishte në gatishmëri me armë e molotovë.
Nëse Zelensky largohej, Rusia arrinte qëllimin e saj dhe vendoste një president pro rus në Ukrainë. Ushtria dhe civilët ishin të vendosur për të mos lëshuar Kievin. Luftimet e ashpra zmbrapsën rusët. Një telefonatë nga Uashingtoni i ofroi presidentit ndihmë për t’u larguar menjëherë.
Njeriu që ukrainasit i ishin bashkuar në luftë pa e menduar, përsëri refuzoi. “Lufta është këtu. Unë kam nevojë për armë, jo një udhëtim.” Ky pra është Volodymyr Zelensky, aktori i humorit që drejton sot Ukrainën dhe sfidon Rusinë!