Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi ka deklaruar sot gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët se ka patur kontakte me Klodian Zoton.
Ai shtoi se kanë zhvilluar bashkë disa biseda në momentin kur ka filluar depozitimi i mbetjeve në inceneratorin e ri.
Sipas Subashit, bisedimet kanë qenë në kuadrin teknik për funksionimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve.
Subashi: Po kam qenë në Prokurorinë e Posacme përpara disa ditësh, u pyeta në cilësinë e deklaruesit. Besoj do të kem mirëkuptimin tuaj këtu sot. Për disa pyetje të caktuara, unë do të rezervohem për shpjegimet e mia. Besoj çka janë fakte publike nuk përbëjnë sekret hetimor. Por disa nga shpjegimet atje, do të rezervohem dhe do bëjë komentin përkatës për këtë çështje. Kam pasur komunikim, ndoshta 2 ose 3 herë me Klodian Zoton. Ka qenë momenti kur ka filluar depozitimi i mbetjeve në impiantin e ri të përpunimit të tyre. Kemi bërë disa biseda në kuadrin teknik, sëbashku me disa persona që kanë qenë të punësuar për administrimin e impiantit atje. Kanë qenë çështje dhe biseda teknike, për orarin pasi kemi kërkuar që të qëndrojë hapur dhe natën.