Banorët e Paskuqanit, Laprakës dhe Babrrusë, të cilët preken nga projekti i Unazës, i janë drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke kërkuar të ndalet puna në terren për shembjen e banesave të tyre.
Duke e cilësuar projektin si krim, banorët pyetën punonjësin e ARRSH se kush fshihet pas, ndërsa u shprehën se nuk mund të ikni nga banesat e tyre në shtëpi me qira.
Banori:
Çfarë përfaqëson ky krim, kush fshihet pas tij? Duam të dimë kush fshihet pas këtij krimi? Të shkojë aksi në vend, të shpëtojnë njerëzit. Na thonë se do shkojmë në shtëpi me qira, po dilni në gjithë Tiranën, po gjetët shtëpi me qira. Më mirë na regjistroni si ushtarë për atje në Ukrainë, dhe e mbyllim këtë.
Punonjësi i ARRSH:
Asnjë objekt nuk do të cenohet, deri në momentin e përfundimit të trajtimit të çdo pronari pasurie. Kjo është e sigurt, sepse nuk ka ndodhur në asnjë projekt. Nëse ka një banor, se është cenuar, ka gjithë të drejtën ligjore të vijë të ankohet. Ne si subjekt që ndjekim punën në terren, marrim masa ndaj kontraktorëve, por nuk besoj ta bëjë ndonjë kontraktor këtë. Deri në momentin e trajtimit sipas ligjit të pronarëve, nuk ka për t’u cenuar askush, sepse do merren të gjitha masat për t’u trajtuar të gjithë. Unë kam për detyrë t’iu sqaroj për ligjin e shpronësimit, për të tjerat bëni një kërkesë me shkrim. Unë kaq e kam përgjegjësinë time. Unë jam sektori për shpronësime, mirupafshim.