Nga Andi Bushati
Dy ngjarje që u zhvilluan pothuajse paralelisht ditët e fundit, ngërthejnë në mënyrë perfekte paradoksin e opozitës zyrtare. Fjala është për intensifikimin, në njërën anë, të denoncimeve nga deputetët që përfaqësojnë PD-në e vulës, në komisionin hetimor për inceneratorët dhe nga ana tjetër, bashkimin e votave me Edi Ramën që bënë 38 prej tyre, duke zgjatur mandatin e trupës të vettingut.
Në pamje të parë të duket sikur kemi të bëjmë me dy opozita të ndryshme. Puna që po zhvillon komisioni i inceneratorëve për të zbardhur një grabitje spektakolare do të ishte e mjaftueshme, jo vetëm për shembur çdo qeveri, por edhe për të hapur dyert e burgjeve katër kanat. Nën drejtimin dhe me bekimin e Edi Ramës, një grup i strukturuar, i ka dhënë pak njerëzve që sot janë në arrati, miliona euro nga buxheti i shtetit, për tre inceneratorë që ende gjashtë vite nga fillimi i këtij projekti, nuk kanë punuar një ditë të vetme.
Faktet që po zbardhen përditë të trondisin. Vetë pesonalisht i ndoqa me vëmendje denoncimet e panumërta që u bënë në komisionin hetimor, për inceneratorin e Tiranës. Erion Veliaj jo vetëm ka nënshkruar në kundërshtim me ligjin për t’i hapur rrugë skemës së ‘Integrated Energy BV”, duke rëmbyer një tagër që nuk i takon, atë të Këshillit Bashkiak, por vazhdon i paguan kompanisë tarifën e incenerimit të mbledhur nga xhepat e kryeqytetasve, ndërkohë që plehërat vetëm groposen.
Ai vazhdon të furnizojë një projekt, që ndonëse u miratua me shifër të gënjeshtërt (do të kushtonte vetëm 90 milionë euro), do të rëndojë mbi xhepat tanë me më shumë se katërfishin e këtyre parave.
Në fakt, llogaria me këtë katrahurë që po i nxjerr bojën SPAK-ut të ambasadorëve nuk bëhet sipas kriterit se sa kanë përfunduar në qeli, por me atë se sa nga ata që e meritonin prej kohësh të qenë aty, bëjnë varavingo akoma jashtë.
Pikërisht kjo lloj llogjike, të të kënaqurit me rezultatet sa për sy e faqe, të të bërit betejë sa për të siguruar një alibi, shpjegon dhe paradoksin që vumë re ditët e fundit.
Duke mbrojtur paralelisht me denoncimin e vjedhjeve edhe badigardët e hajdutëve në drejtësinë e re, opozita e vulës aktroi një film të keq, të parë disa herë me radhë. Sjellja e saj qe njësoj si futja në koalicion pas çadrës në 2017, si tryeza me Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin pas bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve, si marëveshja e 5 qershorit pas protestave me molotov.
Ato të gjitha i përngjajnë fabulës së zjarrfikësit që shuan flakën që ka ndezur vetë.
Prandaj, këtë herë, zelli që po tregon PD-ja e vulës në komisionin hetimor për inceneratorët nuk mund ta fshehë aspak mëkatin e pashlyeshëm të votës për zgjatjen e mandatit të vettingut. Kësaj fabule i ka dalë boja. Ajo tani po djeg të gjithë ata opozitarë që shtiren sikur ndeshen me krimin, por në fakt kërkojnë kushte më të favorshme në një pakt të ri me të.