Leonardo Zela, 23 vjeç, u arrestua sot nga policia e Tiranës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas raportimeve mediatike, ai është djali i motrës së Emiljano Shullazit. Ky i fundit, i dënuar me 14 vjet burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme, ndodhet nën regjimin 31 bis.
Sot policia njoftoi se Zela shpërndante lëndë narkotike në zonën e ish-Parkut.
Burime nga blutë sqaruan se gjatë kontrollit të banesës së tij, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, 4 kavanozë qelqi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, një peshore elektronike, një përforcues grushti, sasi farash të dyshuara narkotike kanabis sativa dhe shumat 11.150 euro dhe 11.000 paund.