Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka komentuar dosjen “Toyota Yaris”, në të cilën u sekuestruan 3.4 milionë euro dhe është marrë dëshmia e liderit të PD Lulzim Basha.
Ai tha se vepra për të cilët mund të dyshohet Basha është “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ndër të tjera ai tha se prokurorët belgë janë habitur se si shkoi informacioni në nivele të larta të politikës, duke shtuar se politikanët duhet të marrin një mësim kur nxjerrin informacione.
“Flasim për një vepër penale që ka lidhje me pengime që cenojnë zbulimin e së vërtetës. Një deklaratë në kushte dhe rrethana që unë nuk i di të liderit të opozitës ka çuar në prishje të hetimeve dhe zbulimit të autorëve. Megjithatë kam vënë re që politikanët tanë nxjerrin edhe në mënyrë të koduar njoftime të tilla, një formë presion, një formë e paqartë pse i përdorin. Por ja që vjen një ditë që politikanët të marrin një mësim që këto deklarata prishin hetimet. Ka shumë hetime që duhet të na vënë në një tjetër këndvështrim përgjegjshmërie. Çështja është ende nën hetim, është e paqartë pozita e Bashës.
Z.Basha nuk e di nëse ka referuar burimin e saktë. Ata do të shikojnë kush e ka penguar hetimin. Është hetim i gjerë, që të dalë pozita e gjithsecilit. Është detyrimi i Bashës të tregojë. Në këto raste s’ka sekret profesional, mund të ketë për gazetarët. Janë në vendin tonë jo vetëm për makinën, por edhe ngjarje të tjera”, tha ai.
Habia më e madhe e tyre është se si informacioni ka shkuar në nivelet më të larta të politikës. Prezenca e prokurorëve belgë në Shqipëri tregon se hetimi po ecën me shpejtësi. Nuk e di çfarë njohje Basha me personin që i ka çuar SMS në celular. Është pikëpyetje e madhe, nëse ka qenë e rastësishme përcjellja e mesazhit në foltore, apo ka pasur komunikim të vazhdueshëm”, shtoi Karamuço për “MCN TV”.