Një djalë 15-vjeçar është arrestuar në Spanjë me dyshimin se ka qëlluar dhe vrarë prindërit edhe vëllain e vogël vetëm 10-vjeçar pas një debati për notat e tij të dobëta në shkollë. Sipas policisë spanjolle, tragjedia, u zbulua mbrëmë nga një grua që shkoi në shtëpinë e tyre pasi nuk kishte asnjë lajm prej ditësh. Lajmi u konfirmua edhe nga mediat e huaja.
“Gruaja, e cila ishte motra e viktimës shkoi në shtëpi sepse nuk po komunikonte dot me familjarët dhe më pas nipi i tha se kishte vrarë babanë, nënën dhe vëllanë e tij”, tha një zëdhënës i policisë.
Policia ka gjetur tre trupa në shtëpi. Policia arrestoi të miturin, i cili kishte qëndruar në shtëpi me kufomat për 3 ditë. 15-vjeçari tha se pati një sherr me të ëmën për notat në shkollë, më pas mori armën e të atit për ta vrarë, dhe më pas qëlloi vëllain e tij 10-vjeçar dhe në fund babain e tij.