Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shpërndarë një video.
Në të theksohet se sipas tij, Berisha, Meta dhe Rama janë bashkë.
Basha e quan PD si shpresa që bashkë me shumicën e shqiptarëve do të ecë përpara.
“Demokratët dhe shqiptarët te Partia Demokratike kanë sot shpresën e vetme për ndryshim. Ne kemi sakrifikuar gjithçka për të materializuar këtë shpresë, kemi treguar se kemi forcën brenda vetes për t’u ndarë edhe nga hijet e të shkuarës edhe nga korrupsioni i të shkuarës, ndërkohë që vazhdojmë betejën me të keqen e sotme që është regjimi i Edi Ramës.
Pra nga njëra anë kemi shumicën me vete, shumica është për ndryshimin, e do këtë ndryshim, që ne e mishërojmë edhe në vizionin tonë edhe në programin tonë edhe në luftën tonë të përditshme. Dhe e dyta që do ta them fare qartë, përballë kemi si asnjëherë tjetër Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën, që së bashku janë më të vegjël se çkanë qenë kurrë më parë.
Ata të tre bashkë janë pakica absolute përballë shqiptarëve. Partia Demokratike e çliruar nga pesha e të kaluarës, do ta marrë këtë shumicë për të ecur përpara drejt së ardhmes”, shprehet Basha.