Ish-kryeministri Sali Berisha konsideroi kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha si “dy kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë” me arsyetimin se po marrin peng pluralizmin në vend. Në studion e “Fax news”, ish-lideri i Partisë Demokratike në vitet 1991-2013 foli dhe për Fatjon Dautajn, shoqëruesin e tij, i cili akuzohet nga PD-ja se ka precedentë penalë. Berisha tregon se i riu, që theu derën e njërës prej zyrave të PD-së ku u mbajt sot mbledhja e Komisionit të Rithemelimit, ka marrë pjesë në “çadrën” e 2017 të organizuar nga Basha, madje Berisha tregon se i kanë dërguar foto të Bashës me Fatjon Dautajn.
“Unë kam vetëm një shoqërues, personi që theu derën është një militant i PD. Sipas mediave me precedentë nga Britania e Madhe, unë këtë nuk e di. Di se vjen nga një familje e persekutuar nga Hasi dhe ka ndenjur me netë të tëra në çadër. Më kanë dërguar me dhjetëra foto dhe video të Lulzim Bravës me Fatjonin. Nuk i di veprat penale që mund të ketë kryer por sot për sot kam arritur në përfundim se dy kriminelët më të mëdhenj të Shqipërisë janë Edi Rama dhe Lulzim Basha që po marrin peng pluralitetin politik.
Ky është krim i shëmtuar me pasojë të jashtëzakonshme mbi 2.8 milionë shqiptarë. Ndaj unë u bëj thirrje shqiptarëve të zhvendosin shënjestrën e tyre, por u them se kriminelët më të mëdhenj janë ata që duan të marrin peng pluralizmin. Këta njerëz nuk po merren vetëm me dosjen personale se Fatjon Dautajt Lulzim Basha nuk i përmendi një dosje. Unë i përmend Lulzim Bashës ‘Toyota Yaris’. Por unë nuk i them për këto. Unë u them atyre se me këtë akt po ngjiten në nivelet e krimit politik të Enver Hoxhës. Të mbushësh selinë e PD me narko-policë dhe banditë”, deklaroi Sali Berisha në “Fax news”.