Një firmë e pa deklaruar në organet shtetërore kryente punime si nënkontraktore në banesat e dëmtuara nga tërmeti në zonën e Shijakut.
“Priam 20” nuk figuronte në regjistrat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, por pavarësisht kësaj kryente ndërtimin e banesave individuale në lagjen “Popullore” në Shijak. Emisioni investigativ “Fiks Fare” faktoi në muajin maj 2021 gabimet e ndërtimit të banesave individuale, ku një “inxhinier” 89-vjeçar tregoi se firma kryente punime të dobëta. Madje, brezi i betonit në mes të mureve nuk ishin lidhur me kolonat.
Në atë kohë, gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan me z.Besim Uruçi, administrator i firmës “Priam 20”. Ai tha se, grupi i punës që kishte kryer punime te banesa e z.Yzeir Beqiri, 89-vjeç, kishte bërë shumë gabime dhe se i kishte dëbuar. Në maj 2021, z.Uruçi i premtoi pronarëve të banesës dhe gazetarëve se do të riniste punën dhe do e mbaronte për disa javë. Por, çfarë ndodhi pasi këtij premtimi? Fiks Fare shkoi sërish në Shijak, në banesën e z.Yzeiri. Gjendja? E njëjtë! Asnjë tullë nuk ishte vendosur. “I kanë lënë punimet në mes, as nuk i ka prishur dhe as ka ndrequr. Gjatë kësaj kohe janë bërë pallate nga 8 kate, ndërkohë banesa 1-katëshe nuk është ndërtuar” thotë Yzeiri.
Në maj 2021, z.Uruçi tha se do të riparonte të gjitha dëmtimet. Por, disa muaj më pas, i njëjti person thotë se është larguar nga ajo punë. Ndryshe nga hera e parë, z.Uruçi pretendon se ka qenë nënkontraktor dhe e ka dorëzuar punën. Gazetarët e pyesin se përse i ka lënë në mes dhe cila firmë e ka, ndërsa ai përgjigjet se informacionin duhet ta merrnin pranë Bashkisë së Shijakut.
Bashkë me z.Yzeir Beqiri, gazetarët shkojnë në Bashkinë e Shijakut, ku takojnë sërish nënkryetaren Shpresa Domi. Ajo thotë se bashkia vetëm sa e ka futur në preventiv për t’u bërë ajo shtëpi, ndërsa tenderin e ka bërë FSHZH-ja. Pyetjes se cila firmë kryen punime në atë zonë, Domi pohon se “ne marrim në dorëzim shtëpinë dhe s’kemi asnjë të drejtë të mbikëqyrin punimet”. Madje, nënkryetarja kësaj herë nuk mbante mend emrin e firmës dhe as afatin kur duhet të mbarojë kjo banesë.
Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare u interesua në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, duke i pyetur se përse janë lënë në mes punimet dhe cila firmë ka fituar tenderin e ndërtimit të banesave individuale në lagjen “Popullore” në Shijak. Në përgjigje, Fondi thotë se në lagjen “Popullore” sipërmarrës të punimeve janë bashkimi i operatorëve Kevin Construksion, Pepa Grup, Kompani Riviera 2008 dhe Mela shpk. Ndërkohë, mbikëqyrës të punimeve janë firmat Infra Konsult, Drikons dhe Atelier 4. Sipas kësaj shkrese, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kontratë direkte me sipërmarrësin dhe na nënkontraktorë të deklaruar, lidhur komunikimin e Fiks Fare me firmën Priam 20 në datën 26 maj 2021. Pra, punimet e kryera nga firma Priam 20 nuk kanë qenë të deklaruara!
Ndërkohë, në lidhje me ndërprerjen e punimeve në banesën e të moshuarit, FSHZH thotë se punimet janë pezulluar, pasi nuk është gjetur dakordësi mes firmave dhe të zotit të shtëpisë. Për pasojë, çështja vijon të jetë pezull.
Marrë nga Top Channel