Ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar homazhe në shtatoren e Heroit të Demokracisë Azem Hajdarit te Qyteti Studenti me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë.
Lideri historik i PD bashkë me të pranishmit vendosën kurora me lule te shtatorja.
Më pas ai mbajti fjalën përshëndetëse dhe tha se sheshin ku ndodhej filloi revolucioni paqësor më i madh në historinë e kombit shqiptar.
Gjatë takimit Berisha nuk nguroi të sulmojë kreun e PD-së, Lulzim Basha për të cilin tha se preu kolonat mbi të cilat PD ishte ngritur, parimet dhe idealet e saj.
“Drejtuesi i PD preu një nga një kolonat që ajo ishte ngritur. Preu parimet dhe idealet ku qëndronte. Nëse themi se Edi Rama armiku më i egër i pluralizmit, Lulzim Basha është tradhtari më i madh i tyre. Mirëpo, llogaritë e Edi Ramës se ka marrë peng Lulzim Bashës do të mund të marrë peng idealet e pavdekshme të dhjetorit, të studentëve liberatorë, të PD, të dhjetra qindra mijërave, anëtarëve të saj, të cilët shkrin të gjitha forcat dhe energjitë e tyre për një Shqipëri tjetër, kanë marrë fund. Sot vijmë në këtë dhjetor me një dhjetor të ri të idealeve më të larta më të vendosur se kurrë.
Të rithemelojmë partinë e dhjetorit të 90, partinë e studentëve dhe të të rinjve, të shqiptarëve, të votës së lirë. Vijmë më të vendosur se kurrë se ashtu siç çmontuan dhe përmbysëm 31 vite më parë diktaturën hoxhiste, të përmbysim dhe çmontojmë narko-shtetin e Edvin Kristaq Ramës, dhe pengut të tij Lulzim Basha. të rikthejmë vlerat e lirisë, votën e lirë, dinjitetin njerëzor, hapin e shpejtë të integrimit të vendit në BE. 11 dhjetori po vjen, është ditë e madhe e atyre që themeluan PD-në, e atyre që arritën që të përmbysin diktaturën komuniste, që ndërtuan Shqipërinë demokratike.
E atyre që në një moment kritik për pluralizmin politik, u ngritën si feniski dhe do të ndërtojnë në 11 dhjetor monumentin madhështor të pluralizmit politik. Nga ky shesh, shesh i historisë së madhe, ftoj demokratët, delegatët e Kuvendit Kombëtar, ata që firmosën dhe ata që nuk firmosën, të vijnë në 11 dhjetor në Kuvend që do të mbahet në Arenën Air Albania.”, tha Berisha.