Palestra nuk është gjithmonë vendi më i pastër apo më higjienik dhe kjo veçanërisht gjatë sezonit të të ftohtit dhe gripit.
Me mikrobet që fshihen në pothuajse çdo të çarë të paisjeve është e lehtë të sëmuresh.
Përveç marrjes së vaksinës kundër gripit, e cila mund t’ju mbrojë kundër llojeve të zakonshme të viruseve, ka edhe disa masa parandaluese që mund të merrni.
AgroWeb.org ju njeh me gjashtë mënyra për të shmangur sëmurjen gjatë seancave stërvitore.
Pastroni pajisjet
Dhe gjatë sezonit të të ftohtit dhe gripit, kur mikrobet janë kudo, dezinfektimi i sipërfaqeve është çelësi për të reduktuar kontaktin me to.
Në fakt, një studim nga hulumtuesit në Universitetin e Arizonës, zbuloi se pastrimi mund të ulë rrezikun e kontraktimit nga kërpudhat me 80%.
Mos e prekni fytyrën
Meqenëse nuk mund të dezinfektoni çdo sipërfaqe në palestër, me siguri do të hasni mikrobe kur prekni një dorezë dere.
Por për të parandaluar patogjenët e bezdisshëm që t’ju sëmurin, mbajini duart larg fytyrës dhe gojës.
Në këtë mënyrë, çdo mikrob që keni në gishta nuk do mund të hyjë në trupin tuaj dhe t’ju sëmurë.
Më pas lajini duart sa më shpejt të mundeni ose përdorni një dezinfektues.
Hiqni rrobat e lagura
Përpara se të largoheni nga palestra, gjeni kohë për të ndërruar veshjet e djersitura me rroba të thata.
Rrobat e lagura ftohin shpejt sipërfaqen e trupit, kjo bën që enët e gjakut në trup dhe në rrugët e sipërme të frymëmarrjes të tkurren, duke reduktuar rrjedhjen e gjakut.
Kështu sistemi imunitar mund të mos funksionojë siç duhet, dhe të lejojë virusin të futet në trupin tuaj.
Lahuni
Nëse përdorni dyshekë ushtrimesh, ka shumë të ngjarë që prej tij po merrni shumë baktere dhe larja e duarve nuk do të jetë e mjaftueshme për të hequr plotësisht mikrobet.
Dushi jo vetëm që do të largojë djersën, e cila mund të shërbejë si bartës mikrobesh, por ju do të nxirrni nga trupi edhe ndotësit kimikë dhe metalet e rënda si plumbi dhe mërkuri.
Hidratohuni
Dehidratimi mund të ulë reagimin e sistemit imunitar. Prandaj për të forcuar mbrojtjen e trupit tuaj kundër sëmundjeve, pini shumë ujë gjatë gjithë ditës, por edhe gjatë seancave stërvitore.
Kujdes nga tualeti
Sipas ekspërtëve, banjo e palestrës është vendi ku ka më shumë gjasa të hasni infeksione të shumta.
Kjo për shkak se mjediset e lagështa si dushet dhe zona e pishinës janë baza për rritjen e mikrobeve.
Për të shmangur infeksione të ndryshme mos ecni kurrë zbathur në banjë ose kudo tjetër në palestër.
Një mënyrë tjetër për të mbrojtur veten? Mbuloni çdo prerje ose gërvishtje në lëkurë, pasi lëkura është linja e parë e mbrojtjes kundër infeksioneve./AgroWeb.org