Rrugëtimit të Milanit në Europë i erdhi fundi. Kuqezinjtë bien në “San Siro” dhe shuajnë kështu çdo mundësi për të kaluar fazën e grupeve të Champions League. Ajo fitore kundër Atletikos dy javë më parë i bëri të gjithë kampin milanist të ëndërronte për një kualifikim, por në fund gjithçka që marrin është vendi i katërt në grup, duke humbur kështu edhe mundësinë për të vijuar në Europa League.
Liverpuli i Klopit tregohet i pamëshirshëm në “San Siro”, teksa edhe pse me biletën e siguruar prej kohësh përmbys rezultatin në 1-2 dhe eliminon “djallin” nga Champions League. Tomori hapi serinë e golave në pjesën e parë të ndeshjes, por vetëm pak minuta më vonë Salah barazoi gjithçka. Ndërkaq në fraksionin e dytë të lojës Origi zgjon Milanin nga gjumi dhe i thotë se ëndrra për ta ka mbaruar.
Në krahun tjetër Atletiko ia del mes nervash të fitojë duelin e drejtpërdrejtë me Porton. Spanjollëve u nevojitej fitorja dhe pikërisht atë morën në fund. Grizman i jep epërsinë bardhekuqve në minutën e 56, ndërsa disa minuta më vonë tensioni do të pu.shtonte lojtarët. Dy kartonë të kuq në tre minuta dhe të dyja skuadrat detyrohen të luajnë me nga 10 lojtarë.
Sfida është mbyllur mes emocioneve, teksa Korrea shkundi rrjetën në minutën e fundit të kohës së rregullt, ndërsa vetëm dy minuta më pas De Paul trefishon rezultatin. Porto kundërpërgjigjet me një penallti të përkthyer në gol nga Oliveira, por koha nuk premton për më shumë. Atletiko fiton 1-3 dhe siguron kështu kualifikimin për më tej./Halit Delibashi-Sport Ekspres/