Ne të gjithë i duam misteret, dhe Lufta e Dytë Botërore siguroi shumë të tilla. Shkalla e madhe e luftimeve dhe e taktikave të tokës së djegur, solli zhdukjen e shumë njerëzve. Në atë kohë u krijuan shumë teknologji të avancuara që humbën gjithashtu nga koha.
Përgjigjet mbi këto pyetje u ndanë me të vetmit që i njihnin, dhe zgjidhja e këtyre mistereve ka angazhuar shumë njerëz që nga koha e luftës. Ja cilat janë disa nga misteret më interesante ende të pazgjidhura nga Lufta e Dytë Botërore.
Kush e zbuloi vendndodhjen e Ana Frank?
Ana Frank ishte një nga miliona viktimat e Holokaustit. Por ajo vajzë e re u bë e famshme pas vdekjes, pasi u publikua ditari i saj, që përshkruante në detaje jetën e saj dhe përvojat e fshehjes nga nazistët. Ditari e ka bërë atë një nga figurat më të njohura historike.
Për pasojë,çdo moment i jetës së saj është studiuar në thellësi. Por mbetet ende një çështje e pazgjidhur:kush e zbuloi vendndodhjen e saj dhe të familjes?Për këtë janë paraqitur një sërë teorish të ndryshme, që supozohet se i përgjigjen pyetjes, por asnjë provë e fortë nuk është ofruar deri më tani.
Objektet e çuditshme në qiell
Objektet fluturuese të paidentifikuara, janë shumë të preferuara nga ata që janë të interesuar për misteret. Dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore janë raportuar shumë imazhe të çuditshme ajrore. Objekte të çuditshme u ndeshën në qiell shumë herë nga pilotët gjatë asaj lufte.
Këto objekte ishin në madhësi, forma dhe ngjyra të ndryshme, madje silleshin ndryshe nga avionët që kishin ndërtuar njerëzit. Në fillim, zyrtarët e ushtrive besonin se këto pamje ishin rezultat i lodhjes fizike të pilotëve apo dukurive atmosferike.
Por pas raporteve të vazhdueshme, nisi një hetim zyrtar për të kuptuar se çfarë ishin ato.
Ekzistonte frika se këto objekte ishin një teknologji e fshehtë armike, por natyra e tyre në dukje miqësore e bëri të pamundur këtë shpjegim. Hetimet nuk mundën të jepnin asnjë përgjigje, dhe misteri i atyre objekteve mbetet ende sot i pazgjidhur.
Globi i Hitlerit
Dihet se Adolf Hitlerit i pëlqenin gjërat e mëdha. Mjafton të shihni tanket që ai dha urdhër të ndërtoheshin gjatë viteve të luftës. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk është i rrethuar nga njëmister si globi gjigant i udhëheqësit nazist. Ky glob u ndërtua posaçërisht për Hitlerin nga një kompani me qendër në Berlin në vitet 1930.
Ajo sferë gjigante mbeti në zyrën e Hitlerit për pjesën më të madhe të jetës së tij, dhe u shndërrua në simbol të ambicieve despotike të Hitlerit. Por pas luftës, vendndodhja e globit mbeti një mister. Disa globe të ngjashëm u ndërtuan në të njëjtën kohë, ndërsa të tjerë dolën në shitje përgjatë dekadave, por asnjë prej tyre nuk është konfirmuar si globi i Hitlerit.
Ai mund të jetë shkatërruar në kaosin e ditëve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, ose është grabitur nga një ushtar që e ka mbajtur të fshehur. Historiani Volfram Pobanz pretendon se Hitleri nuk ishte fans i globit, pasi ai nuk është parë kurrë në një foto me të.
Lista e emrave në kampin e vdekjes në Aushvic
Në vitin 2009, një historian zbuloi një listë me 17 emra në kampin e përqendrimit të Aushvicit gjatë kryerjes së punimeve rutinë për mirëmbajtjen e këtij objekti. Të gjithë emrat ishin britanikë dhe ishin shkruar në një copë celuloid të bardhë.
Tetë nga emrat kanë një shenjë të tyren, kështu që lista është përdorur me siguri për të verifikuar diçka, por gjithçka mbetet ende një mister. Përveç emrave, lista përmban gjithashtu një varg numrash dhe disa fjalë të zakonshme gjermane me përkthimet e tyre në anglisht, si “që atëherë”, “kurrë” dhe “tani”. Disa shpjegime sugjerojnë se emrat ishin një listë e spiunëve britanikë, apo edhe një listë e trupave britanike që dezertuan tek nazistët.
Treni me arin e grabitur nga nazistët
Ky tren mbetet një nga misteret më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa historia e saktë mund të ndryshojë sipas varianteve që rrëfehen, shumë njerëz besojnë se kur e kuptuan se po e humbnin luftën, nazistët ngarkuan një tren plot me ar, vepra arti dhe sende të tjera me vlerë që ishin grabitur në vendet e pushtuara.
Thuhet se ky tren, me gjasë ka përfunduar në ndonjë tunel të kyçur,por nuk është gjetur asnjëherë. Nëse është e vërtetë, atëherë ngarkesa në bordin e këtij treni mund të vlejë shumë para. Edhe pse kjo histori është bërë në thelb një legjendë urbane, ajo është marrë seriozisht nga shumë autoritete që nga viti 1945.
Ushtria polake e kërkoi atë tren pas luftës, por pa sukses. Nuk është gjetur asnjë provë që sugjeron se treni ka ekzistuar ndonjëherë. Por disa vite më parë,kërkimi rinisi nga 2 polakë, të cilët pretenduan se kishin marrë një rrëfim nga dikush në shtratin e vdekjes për vendndodhjen e trenit. Gjithsesi, sërish nuk u gjet asnjë tren i ngarkuar me ar. / War History – Bota.al