Deputeti i Partisë Demokratike Endri Hasa ka bërë një denoncim publik me video.
Sipas tij, Përparim Kolaveri të cilin e quan si përfaqësues të Tom Doshit, ka mbledhur firma për Kuvendin e datës 11 dhjetor të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Këto pamje, Hasa i quan si trishtuese, pasi njerëz të lidhur me krimin mbledhin firma për ish-liderin e PD.
REAGIMI I PLOTE
Në 8 vite, Partia Demokratike ka dënuar ashpër influencën e grupeve kriminale në politikë dhe ka zhvilluar një betejë të hapur kundër përfshirjes së tyre në politikë duke miratuar dhe ligjin e dekriminalizimit.
Është trishtuese që sot persona të skeduar si të lidhur me krimin dhe ortakët e Edi Ramës në masakrën zgjedhore, Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, ndërhyjnë që të mbledhin firma për Sali Berishën. Një ndër ta është edhe Përparim Kolaveri, përfaqësues i Tom Doshit që firmos si delegat për datën 11 dhjetor.
Është e qartë që përçarja e PD-së ështe interesi më i mirë i regjimit të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij non grata.
Demokratët do të vazhdojnë betejën e tyre kundër regjimit të Ramës dhe tentakulave të tyre pranë PD-së. Demokratët kanë një dhe vetëm një kundërshtar, ai është Edi Rama dhe regjimi i tij.