Një 38-vjeçar me iniciale N.K. është arrestuar nga policia në pikën kufitare të Morinës pasi gjatë kontrollit i është gjetur një pistoletë me fishekë. Nën hetim në gjendje të lirë është vënë pasagjeri që po udhëtonte bashkë me 38-vjeçarin në makinë për moskallëzim krimi. Në lidhje me këtë ngjarje materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
“Policia Kufitare e Morinës evidenton dhe godet një rast të tentativës për të hyrë në territorin shqiptar, me armë zjarri me vete. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Vihet në pranga drejtuesi i mjetit që i posedonte. Procedohet në gjendje të lirë dhe pasagjeri në mjet, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin K. N., 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar shtetasit K. N., një armë zjarri pistoletë, me fishekë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, të shtetasit:
K. N., 38 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, pasagjeri në mjet, shtetasi F. G., 30 vjeç, banues në Tiranë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme”, bën me dije policia.