Pas vendimit të GJKKO për të pushuar hetimet ndaj ish-kreut të KED Ardian Dvorani me kërkesë të SPAK, ka ardhur dhe reagimi i Presidencës.
Me anë të zëdhënësit Tedi Blushi, në mesazh shprehet habia se përse SPAK-ut iu deshën dy vite që të shprehej në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që thuhet se vendimi do të apelohet.
Sipas Blushit ka ardhur koha që drejtësia të jetë në anën e së vërtetës.
Reagimi i plotë i Blushit:
U deshën plot 2 vite, që SPAK të kërkonte pushimin e procedimit penal ndaj personit nën hetim, z.Ardian Dvorani dhe ndaj ish-Ministres së Drejtësisë dhe vartësve të saj.
Vendimi i sotëm i Gjyqtarit të Seancës Paraprake, që miratoi këtë kërkesë të Prokurorisë për pushimin e çështjes penale të nisur 2 vite më parë, me kallëzim të Presidentit të Republikës, është I PAPRANUESHËM dhe do të ANKIMOHET sipas rregullave procedurale dhe afateve, që përcakton Kodi i Procedurës Penale.
Kushdo, që ka konsumuar vepra penale dhe ka abuzuar me ushtrimin e funksionit publik, qoftë ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, ish-Ministër Drejtësisë, apo funksionar tjetër i lartë do të përgjigjen para drejtësisë.
Faktet janë aty dhe veprimet e faktuara kriminale nuk zhbëhen dot, pavarësisht vlerësimit jo objektiv të SPAK për të mos u thelluar në hetimin e mekanizmit dhe bashkëpunimit kriminal dhe në arsyetimin krejtësisht të gabuar mbi rrethanat e faktit dhe elementëve të veprave penale të konsumuara nga shtetasit e kallëzuar.
Rëndësia e kësaj çështjeje, pikërisht për shkak të cenimit të besimit të publikut tek Drejtësia, nuk mund të sfumohet duke e zvarritur në kohë, dhe as me hetime të cekta, që derivojnë nga thelbi i çështjes.
Edhe një trupë ndërkombëtare ekspertize si Komisioni i Venecias veproi më shpejt dhe më objektivisht se SPAK.
Mjafton që SPAK t`i ishte referuar gjetjeve dhe vlerësimeve të Komisionit të Venecias, dhe do gjente aty një vlerësim objektiv dhe një lexim të qartë të asaj, që ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon, por edhe fajtorët se kush tentoi t’i rrëmbente Presidentit të drejtën e emërimit të gjyqtarit kushtetues, si dhe kush e la vendin 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.
SPAK refuzoi ekspertizën e huaj dhe me vendimet e tij i dha mundësinë autorëve të krimeve penale të vijojnë në mbijetesën e tyre. Drejtësia ka ende kohë për të folur! E ardhmja u takon të vërtetave.