Pas publikimit të përgjimeve ku shfaqeshin Vangjush Dako dhe të tjerë zyrtarë të Partisë Socialiste në Durrës duke komunikuar me persona me precedentë penalë, ka ardhur reagimi nga Partia Demokratike. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet, PD kërkon arrestimin e tyre gjithë të përfshirëve në këto përgjime dhe largimin e Ramës.
Sipas “selisë blu” Rama në vend që të largohet ka urdhëruar shantazhimin e gazetës gjermanë që bëri publike këto përgjime.
Deklarata e plotë e Partisë Demokratike:
Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorën në dritë krimin zgjedhor.
Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantët e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që:
– vjedh votat,
– dhunon votuesit,
– manipulon hetimet,
– dhe kërcënon mediat.
Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias.
Edi Rama vetë po hesht, siç bën gjithmonë, kur kapet me fakte në krim. Këtë radhë, as heshtja, as shërbëtoret e tij në prokurori, nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën që tani ka marrë përmasa europiane: Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal.
Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar.
Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik.
As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar.