Tranzicioni në Shqipëri, krahas fuqizimit të bizneseve dhe individëve të veçantë, informalitetit dhe interesave okulte, solli edhe një kategori personazhesh që u kthyen në viktimat e këtij sistemi të ri ku kishin ngjitur me shpejtësi shkallët. Njerëz të fuqishëm, të lidhur me pushtetin dhe paranë, të cilët u zhdukën pa gjurmë, në shumë hamendësime, por edhe dyshime, që nuk panë kurrë dritën e së vërtetës.
Një ndër këta persona, është edhe Eduart Belegu, njeri i bizneseve dhe ish-këshilltar i dy ministrave të Ekonomisë, në mandatin e parë dhe fillim mandatin e dytë të qeverisë Berisha. Belegu, u zhduk në mënyrë misterioze fundmarsin e vitit 2010. Ai humbi gjurmët më 23 mars të këtij viti, për të mos u gjetur më kurrë. Atë paradite, ai ishte ndalur në biznesin e njërit prej ortakëve të tij, për t’i marrë një sasi parash që ky i fundit i kishte hua.
Për herë të parë “Në shënjestër” në News24 publikon dosjen e plot hetimore ku sillen me detaje të gjitha pikëpyetjet që mbulojnë me mister këtë ngjarje. Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, kallëzimi në prokurori për zhdukjen, u bë nga bashkëshortja e tij, Iliriana Belegu. 24 orë, pasi bashkëshorti ishte larguar pa njoftuar, ajo ngjiti shkallët e organit të hetuesisë, për të denoncuar ikjen e pazakontë të bashkëshortit të saj.
Procedimi penal u regjistrua nga prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi.
Në kallëzimin përpara oficerit të policisë gjyqësore, Iliriana Belegu, shpjegoi se bashkëshorti i saj Eduarti ishte larguar nga shtëpia që prej orës 09:00 të datës 23.03.2010. Dhe që nga ai moment, nuk dihej vendndodhja e tij. Ndërkohë që të dy telefonat celular që ai kishte pasur me vete, rezultonin të ishin të fikur. Iliriana Belegu, në cilësinë e bashkëshortes, informoi me tej oficerin e policisë gjyqësore, se më datë 23.03.2010, Eduarti do të shkonte të takonte shtetasin Thanas Gjinopulli i njohur si Nasho, ku do t’i merrte një sasi dollarësh që ky i fundit ia kishte borxh. Më pas, po sipas bashkëshortes, Eduarti do të shkonte për në Durrës.
Si person në dijeni për rrethanat e ngjarjes, Gjinopulli i njohur si Nasho, u thirr në prokurori, ku pohoi takimin me Belegun dhe arsyet e atij mëngjesi të shpejtë. Thanas Gjinopulli tha përpara hetuesve se më datë 23 mars 2010, rreth orës 9:45, Eduard Belegu kishte shkuar në magazinat e tij. Ku sipas tij kishte marrë 8 topa më dollarë si edhe një letër ku ishin shënimet e likuidimeve.
“Eduarti nxitonte shumë pasi donte të ikte në Durrës. Ndaj paratë i futi shpejt në një qese dhe iku. Meqenëse nxitonte vendosëm që letrat mbi dhënien e parave do t’i bënim pasdite tek noteri”.
Sipas Nashos, në largim e sipër, pak metra nga magazina e tij, Eduart Belegu ishte takuar në rrugë me disa persona. Ky ishte edhe momenti i fundit, kur sipas tij, e pa të gjallë Belegun. Vetëm disa orë më pas, Gjinopulli do të deklaronte se kishte marrë një mesazh telefonik nga ortaku i tij. Mesazh që ngriti shumë dyshime te familjarët për vërtetësinë.
“Rreth orës 13:30, Eduardi më ka dërguar një sms ku më shkruan se ato që më dhe janë 76 000 $ dhe jo 80000 $. Ai më la takim tek noteri në orën 16.00”.
Por ky takim sipas Nashos nuk u bë kurrë. Edhe pse ai shkoi në vendin dhe orarin e përcaktuar më herët, Eduart Belegu nuk u paraqit në takimin që po vetë kishte caktuar. Vetën dy ditë pas zhdukjes, më datë 25.03.2010, familjarët e Eduardit, mundën të gjejnë automjetin e të afërmit të tyre. Mjeti tip fuoristradë me targë TR 1412 N ishte parkuar në rrugë para magazinës së biznesmenit Thanas Gjinopulli. Në krahun tjetër të rrugës, me sens lëvizje Zogu i Zi-Durrës.
Por dëshmia e dhënë në polici nga Thanas Gjinopulli, nuk bindi bashkëshorten e Eduart Belegut. Ilirjana Belegu u ballafaqua me ortakun e bashkëshortit të saj në zyrën e oficerit të policisë. Ajo e cilësoi dëshminë e Gjinopullit, konfuze dhe plot me kontradikta. Çka për të, linte hije të shumta dyshimi.
“Gjatë kohës që oficerët po pyesnin Nashon në lidhje me takimin e fundit të tij me Edin dhe paratë që ai i kishte dhënë në atë takim, unë dëgjova që Nasho nuk ishte konseguent në fjalët e tij dhe ngatërrohej me shifrat të cilat ai ia kishte borxh Edit dhe do t’ia kthente. Ai vetë konfirmoi se një ditë më parë i kishte thënë Edit që nesër do t’i kthejë 20 ose 30 mijë po se çfarë, euro apo dollarë nuk jam e sigurt. Këtë fakt mua ma tha dhe vetë Edi ditën që u zhduk.
Që në mëngjes, kur para se të dilte nga shtëpia më tha se tani që do dal do shkoj direkt tek Nasho për të marrë 20 mijë, po se çfarë euro apo dollarë as Edi nuk ma saktësoi. Dhe kur dëgjova nga Nasho në polici që i kishte dhënë Edit, tetë topa me dollarë që bënin shumën 80 mijë dollarë unë u habita sepse Nasho kishte premtuar t’i kthente 20 ose 30 mijë dhe papritur një ditë më pas në mëngjes i kthen 80 mijë dollarë.
Madje për këtë gjë Nashon e pyeti dhe një punonjës policie dhe ai tha se unë i kisha gjendje dhe meqenëse kisha për t’ia dhënë, ia dhashë shumën më tepër se ç’kisha premtuar një ditë më parë. Por kur Nashon e pyetën policët se sa ishte shuma që duhet t’i jepte gjithsej, ai tha se unë i detyrohesha Edit gjithsej 76 mijë dollarë. Madje në lidhje me këto shpjegime që Nasho po jepte ai tha se Edi i kishte çuar një mesazh pak kohë pasi i kishte dhënë paratë po atë ditë. Sipas Nashos, Edi në mesazh i kishte thënë se kishte marrë 76 mijë dollarë dhe jo 80 mijë dhe i kishte lënë takim tek noteri në orën 16:00”.
Për t’u bindur lidhur mbi vërtetësinë e mesazhit, Ilirjana Belegu i kërkoi ortakut të bashkëshortit të saj, t’ia kalonte sms-në. Por sapo e lexoi, diçka duket se nuk shkonte në atë mesazh.
“Sapo dëgjova këtë fakt unë i kërkova Nashos të ma dërgonte tek telefoni im celular sms-në që i kishte dërguar Edi. Nasho ma dërgoi aty në moment dhe unë e lexova sms. Unë sms e kam të ruajtur në celularin tim dhe po jua citoj: ‘ATO QE ME DHE SOT ISHIN 76000$ DHE JO 80000. NGA DHJETORI 2004 ME KE DHENE 127000$. TAKOHEMI ORA 16 TE NOTERI TE GJYKATA. EDI BELEGU’. Pasi e lexova mirë, mua dy-tre detaje të sms-së më bënë shumë përshtypje. Sepse formulimi i tekstit të sms ishte shumë i hollësishëm dhe Edi nuk kishte në natyrë të formulonte sms të gjata. Gjithashtu shenja e dollarit e vendosur gjithnjë pas shifrave më bëri përshtypje pasi Edi asnjëherë nuk e vendoste këtë shenjë pas shifrës por gjithnjë para saj. Jo vetëm kaq por aty ishin vendosur disa hollësi të cilat Edi nuk kishte pse t’i specifikonte në sms.
P.sh. ai këtë llogari mund ta bënte me Nashon kur ishin takuar dhe s’kishte pse e bënte pasi u largua prej tij me sms. Jo vetëm kaq por më çuditën dhe hollësitë e takimit tek noterja pasi të gjitha veprimet ishin bërë tek një noter dhe Nashoja e dinte mirë se ku ishte noterja dhe s’kishte pse priste shpjegimet për vendin nga Edi në sms. Dhe fakti që më ka bërë më shumë përshtypje është se çuditërisht Edi në atë sms në fund kishte shkruar emrin e tij. Asnjëherë Edi në fund të sms-ve me njerëz të njohur dhe që kishte kontakte telefonike nuk shkruante emrin.’
Jo e bindur për autenticitetin e mesazhit të pretenduar të dërguar nga i shoqi, Ilirjana Belegu, i kërkoi ortakut edhe një provë tjetër, çka i rriti edhe më shumë dyshimin, se mesazhi nuk ishte shkruar nga Edi i saj.
“Meqenëse ky fakt më bëri shumë përshtypje unë i kërkova aty në moment Nashos të më dërgonte nëse kishte sms të tjera të dërguara nga Edi. Dhe Nasho më dërgoi dhe dy sms të tjera që kishte marrë nga Edi. Njërin prej tyre Edi e kishte dërguar para se të shkonte tek magazina e Nashos po atë mëngjes. Në këto dy sms unë pashë që Edi nuk e kishte shkruar emrin e tij në fund dhe dallova stilin e të shkruarit të tij. Duke i krahasuar këto dy sms me sms-në e parë që shpjegova, mu përforcua dyshimi që sms-ja e fundit që Edi i kishte çuar Nashos mund të mos ishte shkruar nga Edi”.
Pas këtij momenti ballafaqimi në zyrën e policisë, Ilirjana Belegu dëshmoi më tej në prokurori se nuk u takua më kurrë me Thanas Gjinopullin, ortakun e bashkëshortit të saj, me të cilin ai pati takimin e fundit.
“Unë edhe tani që po jap këto shpjegime jam e bindur që kjo sms që Nasho tregon sikur ia ka dërguar Edi nuk është e shkruar nga Edi në kushte normale. Që nga ajo ditë unë nuk kam pasur më takime me Nashon dhe në rast se unë do ballafaqohesha me të do kërkoja të më sqaronte këto kontradikta që shpjegova, pasi edhe vetë ai mu duk se ishte shumë konfuz në ato që thoshte”.
Por zhdukja e bashkëshortit dukej edhe më komplekse se sa një emër i përveçëm i dyshuar. Bashkëshortja e Eduard Belegut, dëshmoi në prokurori edhe për një llogari të hapur që i shoqi i saj kishte me drejtësinë. Ajo i tha grupit hetues, se para se bashkëshorti i saj të zhdukej, ai i kishte dërguar një mesazh të çuditshëm vëllait të tij, që lidhej pikërisht me hetimet që kishte hapur Prokuroria e Elbasanit ose ku të paktën pretendohet të ketë qenë ai mesazhshkruesi. Për këtë arsye, i alarmuar, Gëzim Belegu, vëllai i Eduartit, kishte kontaktuar menjëherë Ilirjanën ditën e ngjarjes. Këto hetime të cilësuara si ‘një çështje vjetër’, sipas mesazhit e kishin shqetësuar shumë Eduart Belegun. Aq sa në mesazhin që i dërgoi të vëllait, kishte vendosur të largohej për ca kohë.
“Rreth orës 15:00 të datës 23.03.2010 më telefonoi kunati, Gëzim Belegu, (vëllai i Eduartit). Ai më tha se do të vinte te shtëpia për të thënë diçka. Gëzimi më shpjegoi se Eduarti i kishte dërguar një sms ku i shkruante se po e mërzisnin për çështjen e vjetër dhe do të largohej për disa ditë. ‘Atyre iu thuaj se jam jashtë Tirane dhe kujdesu për familjen dhe do të të telefonoj vetë’. Kjo ishte pak a shumë përmbajtja e sms-së që Eduardi i kishte çuar vëllait të tij Gëzimit, por që ky i fundit nga frika nuk e kishte ruajtur”.
Por çfarë ishte ky procedim penal që e kishte shqetësuar kaq shumë Eduartin, sa të vendoste largimin e papritur. Largim sipas tij i përkohshëm, por që më pas u bë i përbotshëm. Sipas dëshmisë së bashkëshortes, por edhe të vëllait, Gëzimit, Eduart Belegu kishte një procedim penal të hapur në Prokurorinë e Elbasanit. Ai ishte arrestuar më 16 nëntor 2009, në kohën kur mbante postin e këshilltarit të Ministrit të Ekonomisë, Privatizimit dhe Energjetikës, në akuzën se në bashkëpunim kishte vjedhur materialet e shtrenjta të Uzinës së Ferro-Kromit në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, me një vlerë të llogaritur në 6 milionë euro.
Atëkohë, këshilltar i ministrit Dritan Prifti, Belegu akuzohej se e kishte kryer veprën penale të “vjedhjes me anë të shfrytëzimit të detyrës” për periudhën 2004-2007, gjatë kohës që ishte administrator i kompanisë koncesionare “Darfo”. Sipas kontratës, kur “Darfo” mori me koncesion Uzinën e Ferro-Kromit, firma koncesionare merrte përsipër edhe rikonstruktimin dhe vënien në funksion të furrave. Por grupi hetimor konkludoi se Uzina e Ferro-Kromit jo vetëm që nuk ishte rikonstruktuar sipas kontratës, por i ishin shitur materiale me vlerë, të konsiderueshme.
Për këtë arsye, Eduard Belegu ishte arrestuar dhe më pas i ishte ndryshuar masa e sigurimit në detyrim paraqitje. Ku bashkë me të në pranga kishin rënë edhe drejtorët e kompanisë, Artur Belegu, Tonin Gjonaj, si dhe juristi Fatos Pengu.
“Unë gjatë këtyre ditëve kam pasur shumë takime me të afërm të Edit dhe shokë të tij dhe jam interesuar për të mësuar diçka të re në lidhje me Edin apo konfliktet që ai mund të ketë pasur. Por nuk kam mësuar asgjë konkrete apo serioze në lidhje me marrëdhëniet e Edit me të tjerë. Dua të them se në fund të muajit të kaluar ose në fillim të këtij muaji në shtëpi më ka ardhur një njoftim nga Prokuroria e Elbasanit ku njoftohej Edi për zgjatjen e hetimeve për çështjen që ai kishte në këtë Prokurori”.
Marrë nga Balkan Web