Shqiptarja me origjinë nga Durrësi Adelina Sejdini, e cila bashkëpunoi me policinë italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion i ka dhënë fund jetës.
47-vjeçarja është hedhur nga ura ditën e shtunë më 6 nëntor.
Gruaja që është shfrytëzuar si punonjëse seksi, denoncoi tutorët e saj në vitin 1996, kur ishte vetëm 22 vjeçe.
Ajo u rrëmbye dhe më pas u përdhunua dhe u shfrytëzua për vite të tëra si viktimë e prostitucionit në Itali.
Shtetasja shqiptare kishte kërkuar statusin e refugjatit, që nuk iu pranua asnjëherë. Sipas medieve italiane, kjo ishte dhe arsyeja pse gruaja ndërmori aktin vetëvrasës.
Më herët ajo ishte shprehur se shteti italian i kishte premtuar mbrojtje kur denoncoi tutorët, por kjo nuk ndodhi.
E ftuar në mediat italiane më 3 nëntor ajo ka thënë: ‘Nëse kthehem në Shqipëri jam një grua e vdekur, kam frikë se mos më vrasin ata që kam denoncuar dhe janë arrestuar’.
Miku i saj italian, Daniel Schiano, i cili është polici, ishte sot në një lidhje “Viber” nga Italia me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel. Ai tha fillimisht se e njihte viktimën prej disa vitesh dhe se ishin shumë miq.
“Njiheshim prej rrjeteve sociale e më pas u bëmë miq, e kemi kaluar kohë bashkë. Ishim shumë të lidhur”, tha Schiano, i cili shtoi se ka folur me të për herë të fundit një natë para se ajo të merrte aktin drastik.
INTERVISTA E PLOTE:
Cila është biseda e fundit apo kur e ke takuar për herë të fundit?
Hera e fundit që kam folur me Adelinën është një natë para vetëvrasjes. E merrja në telefon e nuk më përgjigjej, më bënte ndonjë mesazh. Gjatë një live në Facebook, ka njoftuar vendimin e saj për vetëvrasjen.
Çfarë tha në live?
Ajo ishte e zhgënjyer nga institucionet italiane, nuk kishte marrë përgjigje prej tyre. Edhe pse ka vendos në vend të parë këtë, e jo sëmundjen e saj me kancer.
Të kishte thënë ndonjëherë se donte ti jepte fund jetës?
Jo, asnjëherë. Ka protestuar herë pas herë për të drejtat e saj, por jo të flasë për këtë. Në live e fundit, unë menjëherë informova policinë. Kam mbetur i shokuar.
Ke telefonuar policinë e Romës?
Po, në momentin kur ajo ishte live. Ju thashë është një vajzë, duke ua përshkruar se si ishte, do të vetëvritet.
Pak më vonë fola me Adelinën në telefon, i them që të mos e bëj këtë gjë. I thashë të marrë trenin dhe të kthehej në Pavia e të kurohej. Fillimisht nuk më dëgjoi, më pas mu duk sikur e binda e më tha se do merrte trenin.
Pse e përzunë Adelinën nga policia?
Një javë më parë ishte nisur nga Pavia në Romë për të protestuar për mosdhënien e nënshtetësisë italiane. Thoshte i dhashë çdo gjë Italisë, jam e sëmurë me kancer. Gjatë protestës ka tentuar që t’i vendosë flakë vetes.
Ajo vdiq me një flamur italian në qafë. Sa herë protestonte për këto gjëra, ndihej italiane, por sigurisht pa harruar Shqipërinë. Ajo është ajo vajza që i ka dhënë shumë Italisë, e prandaj ne jemi të gjithë të shokuar.
Pse thoshte “preferoj të vdes se të kthehem në Shqipëri?”? Pse kishte frikë?
Nuk e ka hedhur poshtë kurrë Shqipërinë. Adelina fillimisht pas gjithë atyre arrestimeve, ka qëndruar e mbrojtur nga policia italiane. Po kishte shumë frikë të kthehej në Shqipëri.