“Ikigai, sekretet japoneze për një jetë të gjatë e të lumtur” është ndër librat më të lexuar të momentin dhe jo pa arsye. Është një udhërrëfyes se si ta jetosh jetën me hare, duke i njohur synimet që ke në jetë dhe arsyet se pse ngihesh çdo mëngjes nga shtrati. Ky udhërrëfyes vjen nga japonezët, e specifikisht nga një ishull japonez, ishulli i Okinaua, i cili ka jetëgjatësinë më të lartë të banorëve të tij, mbi 100 vjet. Kjo bën të lindë edhe dyshimi i një jetëgjatësie kaq të madhe. Njëkohësisht shton edhe besimin e ndjekjes së Ikigait, rregullave për ta bërë jetën më të gjatë e më të lumtur.
Por a mund të jetë koncepti “Ikigai” një nga motivet e kësaj jetëgjatësie? Ikigai shpesh përfaqësohet si kryqëzim i katër elementeve themelorë: Ajo çka doni (pasioni juaj); Ajo për të cilën bota ka nevojë (fati juaj); Në çfarë jeni të zotë (thirrja juaj); Diçka për të cilën mund të paguheni me para (profesioni juaj).
Në “Ikigai: Sekretet japoneze për një jetë të gjatë e të lumtur,” Hector Garcia dhe Francesc Miralles, listojnë dhjetë rregulla që mund t’ju ndihmojnë në gjetjen e ikigait tuaj:
- Qëndroni aktivë dhe mos bëni jetë sedentare,
2. Jetoni më ngadalë, më qetë,
3. Hani deri kur të ngopeni 80%,
4. Rrethojeni veten me miq të mirë,
5. Ushtrohuni çdo ditë,
6. Buzëqeshni dhe jini të vetëdijshëm për njerëzit rreth jush,
7. Kaloni kohë në natyrë,
8. Falenderoni këdo që ju bën të ndiheni mirë,
9. Jetoni çdo moment,
10. Ndiqni ikigain tuaj.
Siç thonë autorët “ata që kanë zbuluar ikigain e tyre, kanë gjithçka që u nevojitet për një jetesë të gjatë e të lumtur”. Normalisht, duke i lexuar këto rregulla, natyrshëm të lind dëshira t’i realizosh ato. Krahas tyre, në libër do të gjeni edhe plot këshilla të tjera për një jetë më të lumtur.
Unë jam ndër ata persona që nuk i pëlqejnë shumë librat me këshilla, pasi më pëlqen që leksionet në jetë t’i nxjerr prej përvojave personale jo të m’i diktojë dikush tjetër, ama ky libër më ka bërë të mendoj ndryshe për jetën dhe mënyrën se si duhet ta jetojmë atë. Duhet të jemi më pozitivë dhe të jetojmë pa e stresuar veten, gjithmonë duke qenë mirënjohës për gjithçka dhe duke e rrethuar veten nga njerëz të mirë. Këtë thekson më së tepërmi libri në fjalë. Nëse keni kohë dhe dëshirë, mund ta lexoni dhe padyshim që ky libër do t’jua ndryshojë edhe juve botëkuptimin tuaj./ bota.al