Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarë të lartë talebanë kanë folur për “hapjen e një faqeje të re” në marrëdhëniet mes shteteve të tyre, teksa nisën bisedimet në Katar.
Lajmin e dha ministri i Jashtëm i Afganistanit, Mullah Amir Khan Muttaqi.
Ky i fundit u shpreh se në fokus të delegacionit afgan ishte ndihma humanitare si dhe zbatimi i marrëveshjes që talebanët nënshkruan me Uashingtonin vitin e kaluar, e cila hapi rrugën për tërheqjen përfundimtare të SHBA.
Ministri tha se delegacioni afgan ka kërkuar nga SHBA që të heqë ndalimin e saj për rezervat e bankës qendrore të Afganistanit. Ai shtoi se SHBA do t’i ofrojë afganëve vaksina kundër COVID-19.
Delegacioni taleban më vonë do të takohet me përfaqësues nga Bashkimi Evropian.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha të premten në mbrëmje se bisedimet nuk kishin të bënin me njohjen ose legjitimimin e talebanëve si udhëheqës të Afganistanit, por janë një vazhdimësi e bisedimeve pragmatike mbi çështjet me interes kombëtar për SHBA. Ai tha se përparësia ishte largimi i vazhdueshëm i sigurt i afganëve, qytetarëve amerikanë dhe shtetasve të tjerë të huaj nga Afganistani, duke shtuar se një qëllim tjetër ishte nxitja e talebanëve të respektonin të drejtat e të gjithë afganëve, përfshirë gratë dhe vajzat, dhe të formonin një qeveri gjithëpërfshirëse me mbështetje.
Departamenti i Shtetit nuk bëri të ditur se kush do të udhëtonte në kryeqytetin e Katarit nga pala amerikane.
Takimet personale që filluan në Doha të shtunën janë të parat që kur forcat amerikane u tërhoqën nga Afganistani në gusht-duke i dhënë fund një pranie ushtarake 20-vjeçare-dhe ngritjes së talibanëve në pushtet.