Një plagosje me armë zjarri ndodhi sot në fshatin Mushan të njësisë Dajç, pjesë e bashkisë Shkodër.
Mësohet se i plagosuri është identifikuar nga policia si Isak Mehmedi, 24 vjeç, banues në atë zonë.
I riu ka shkuar vetë i plagosur për në spitalin rajonal të Shkodrës, duke mos pritur në vendngjarje uniformat blu dhe as ambulancën.
Sipas burimeve, Mehmedi është jashtë rreziku për jetën dhe aktualisht po mbahet nën kujdesin e mjekëve në spital.
Ai ka marrë një plumb në pjesën e barkut dhe ka dëshmuar se nuk e ka një ide se cilët mund të jenë autorët e ngjarjes së rëndë pasi nuk ka konflikte me askënd.
DESHMIA E PARE
24 vjeçari në dëshminë e tij të dhënë për policinë nga spitali ka deklaruar se ai nuk e di se kush është personi që e ka plagosur.
“Unë nuk e di se kush më ka plagosur. Nuk e kam parë autorin dhe nuk e di se kush mund të jetë. Nuk kam ndonjë konflikt me kend dhe nuk e di përse më plagosën’”, mësohet të ketë thënë 24 vjeçari.
PLAGOSJA
Sipas burimeve nga vendngjarja shtetasi Isak Mehmedi ishte duke hedhur mbeturinat në afërsi të banesës së tij kur papritur një person është afruar dhe ka qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të plagosur.
Policia ka mbërritur në vendngjarje pas informacionit për plagosjen por ende nuk ka arritur që të identifikojë autorin që qëlloi me armë të riun nga Mushani.
Shtetasi Isak Mehmedi është kushëri i vëllezërve Mehmedi ku njëri prej tyre Duel Mehmedi është i dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit Ridvan Ramazani, ngjarje e ndodhur kjo më 28 nëntor 2020.