Ndryshimi i klimës është afër pikës së moskthimit. Sikurse e bën të qartë raporti më i fundit nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), edhe nëse emetimet e karbonit do të ndaleshin që nesër, ato që janë grumbulluar deri më tani në atmosferë janë të mjaftueshme për të shkatërruar shumë ekosisteme të planetit për dekadat e ardhshme.
Kjo është arsyeja pse samiti i ardhshëm i COP26, edhe pse shumë i nevojshëm për të promovuar zbutjen e ndryshimeve klimatike, është tërësisht i pamjaftueshëm për të adresuar axhendën po aq të rëndësishme me të cilën përballet njerëzimi:përshtatja ndaj ndryshimeve.
Ndërsa i nxehti ekstrem, rritja e niveleve të deteve dhe thatësira, po i bëjnë sipërfaqet e planetit të pabanueshme, miliona, në mos miliarda njerëz do të detyrohen përfundimisht të zhvendosen në terrene më të përshtatshme për mbijetesë.
Sfida më e vështirë që kemi përpara nuk është zvogëlimi i emetimeve, por zhvendosja e njerëzve. As IPCC dhe as ndonjë agjenci tjetër, nuk është aktualisht e autorizuar për ta adresuar këtë çështje themelore të gjeografisë njerëzore.
Në dekadat e pasluftës, modele relativisht të parashikueshme të migrimit ndodhën si brenda ashtu edhe midis rajoneve. Për shembull, numri i më i madh i emigrantëve që lëvizën brenda çdo rajoni është 23 milionë, dhe ata u zhvendosën përtej kufijve të ish republikave sovjetike.
Gjithsesi në dekadat e ardhshme, bota do të duhet të përballet me disa zhbalancime demografike serioze. Mungesat e fuqisë punëtore në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azinë Veriore janë duke u bërë më të dukshme, dhe këto rajone do të kenë nevojë të hapin “rubinetet e emigracionit” në përputhje me rrethanat.
Dhjetëra miliona aziatikë të tjerë, mund të detyrohen të zhvendosen përgjithmonë në Euroazi, pasi disa pjesë të Azisë po bëhen të pabanueshme duke zhdukur mjetet e jetesës. Një numër i madh aziatikësh nga jugu dhe kinezësh, do të zhvendosen drejt veriut në territoret e gjëra të stepave të Rusisë Jugore dhe Kazakistanit, rajone që janë shumë të bollshme me tokë pjellore, dhe që janë gati të pabanuara nga njerëzit.
Disa nga këto lëvizje do të ishin të mundshme edhe pa ndryshimin e klimës, por ato janë bërë gati të sigurta për shkak të kësaj të fundit. Këtë shekull parashikohet të arrijë “kulmi i popullatës njerëzore”, e cila do të mbërrijë në gati 11 miliardë.
Nga ai moment e tutje, mbijetesa do të varet shumë nga rishpërndarja e njerëzve. Qeveritë kombëtare janë sovrane në lidhje me çështjet e migrimit. Por reagimi ndaj sfidës së gjeografisë njerëzore kërkon më shumë sesa ndërhyrje në marrëveshjet dypalëshe të migrimit.
Ne duhet që ta kapërcejmë hendekun midis diskursit politik shumë të ndjeshëm rreth migrimit, dhe strategjisë kolektive të nevojshme për të strehuar njerëzimin.
Të flasësh më shumë për gjeografinë njerëzore sesa emigracionin, mund të jetë një mjet retorik i fuqishëm, sepse e vë theksin tek fakti se ndodhemi në të njëjtën varkë, dhe kjo gjë e zhvendos fokusin nga sovraniteti i ngushtë kombëtar në një administrim të gjerë në nivel planetar.
Në një botë me një klimë në ndryshim, ne kemi nevojë për një ndarje të re të punës midis kontinenteve. Amerika e Jugut dhe Afrika do të bëhen gjithnjë e më shumë rajone që do të prodhojnë emigrantë. Amerika e Veriut dhe Euroazia duhet të thithin më shumë njerëz, dhe t’i qarkullojnë ata nga SHBA-ja Jugore dhe Azia Jugore që kanë probleme me furnizimin me ujë në zonat e brendshme më pjellore.
Do të ketë pionierë klimatikë që do të ngrenë vendbanime të reja, në vende të tilla si Kanadaja dhe Rusia, për miliona emigrantët e ardhshëm. Ishujt e zhytur nën ujë të Paqësorittë Jugut do të duhet të braktisen për të shkuar në Australi dhe Zelandën e Re, të cilat në fakt do të bëhen protektoratet e tyre brenda një Oqeanie kolektive dhe jo tërësisht sovrane. Vendet e sotme me probleme ekonomike dhe të shpopulluara të Vishegradit, mund të shkrihen në një federatë më të madhe për të administruar më mirë pyjet e tyre jetike, bujqësinë dhe lumenjtë, në mënyrë që të përgatiten për rimbushjen demografike nga arabët dhe aziatikët.
Në një përmbysje të tendencave të sotme centrifugale, Ishujt Britanikë jo vetëm që do të thellojnë ndarjen e burimeve të tyre, por do të përfaqësojnë qendrat kryesore në një version të ringjallur të Lidhjes Hanseatike mesjetare të porteve tregtare, që lidh Çërçillin në Kanada me Aberdenin në Skoci, dhe Kirkenes në Norvegji.
Shumë studiues pyesin:po çfarë ka përtej sovranitetit? Në rast se jemi të mençur, përgjigja do të jetë “gjeografi e programueshme”:ri–përshtatja e vendeve bazuar në ndryshimin e roleve të tyre në sistemin tonë global të lëngshëm.
Gjeografia e banueshme është burimi ynë më i çmuar tokësor, dhe ne duhet ta zgjedhim atë për ata që do të vijnë pas nesh. Përshtatja e sovranitetit me një realitet të ri, është ajo që i detyrohemi të ardhmes.
Shënim: Parag Khanna, është autori i librit “Si do ta ndryshojë botën migrimi masiv”. /“Financial Times” – Bota.al