Mbështetja e Edmond Spahos ndaj ‘Foltores’ së ish-kryeministrit Sali Berisha ka shkaktuar trazira brenda Partisë Demokratike. Pas bërjes publike se Spaho do merrte pjesë në Foltoren e Berishës, Ervin Salianji komentoi veprimin e kolegut të tij demokrat. Teksa ishte i ftuar në ‘Abc’ Salianji ngriti pyetjen se çfarë kërkon më shumë Spaho nga PD, pasi ka qenë deputet, nënkryetar Parlamenti, kryetar i Grupit Parlamentar dhe President i Federatës së Futbollit.
Edmond Spaho i ka kushtuar kolegut të tij një shkrim pas deklaratës që u bë për të. Deputeti i Partisë Demokratike e quan Salianjin ‘mitralozin’ e partisë, duke shtuar se ai ka dashur ta ofendojë dhe ta ulë në sy të publikut. Ai i thotë se për të gjitha arritjet ka investuar energji, profesionalizëm, kohë dhe emocione pasi i ka arritur me konkurim dhe votë.
Spaho bën të ditur se disa ditë para mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar, Basha e kishte thirrur në zyrë duke i ofruar dy pozicione në Kuvend dhe Parti, mirëpo shton se i refuzoi të dyja pasi donte të qëndronte vetëm deputet. Në fund të shkrimit, Spaho i drejtohet Salianjit duke i thënë: Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar ti rregjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën. Të fala!
SHKRIMI I EDMOND SPAHOS
Replikë e detyruar me Mitrolozin e Partisë. Ne Kohën e monizmit në vitet 60-70, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ishte një kapterr gjoja shkrimtar, të cilin Partia e ndërsente sa herë deshte ti hante kokën ndonjërit. Kaq e madhe ishte paturpësia, egërsia dhe zelli i tij, sa që edhe Kadarenë mund ta nxirrte mediokër dhe antiparti. Këtë tipin Lazgush Poradeci e quante Mitrolozi i Partisë. Një mitroloz të tille kemi edhe ne në PD.
Dje publikova një status ku ngre shqetësimin tim per gjëndjen katastrofike në të cilen ndodhet PD. U shpreha që PD është bunkerizuar dhe për këtë pranova edhe pergjegjësitë e mija si një nga drejtuesit e saj këto 8 vite, megjithëse nuk kam pasur hapësirë për të ndryshuar gjë.
PD ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht në se dëshëron të fitojë zgjedhjet. Detyrimin për ndryshim dhe fitore e kemi në rradhë të parë për njerëzit në baze të cilët janë pa punë dhe bukë. Mendimet e mija nuk ua imponoj askujt, kushdo që i lexon të gjykojë sipas bindjeve të tij. Kjo vlen edhe për kolegët e Grupit Parlamentar. Cdo njëri prej tyre të më kritikojë me argumenta, madje ashpër, por pa fyerje dhe denigrime. Fjalen e lirë dhe norma të tjera demokratike po kërkojmë të vendosim në PD. Cuditërisht, dje në mbrëmje në një stacion televiziv, Mitrolozi i Partisë filloi te mitralojë duke u përpjekur të më ofendojë dhe ulur në sytë e opinionit publik.
“Cfarë do tjetër Mondi, pyeti Mitrolozi i Partisë, në 25 vite ka qënë Ministër, Kryetar i FSHF, Nënkryetar i Kuvëndit, Kryetar i Grupit Parlamentar?”
Hajde e mos e quaj këtë bunkerizim!!! Sipas Mitrolozit, ne nuk duhet të flasim sepse kemi marrë karrige dhe duhet respektuar kodi i karrikekracisë!!!
Mitroloz, për të gjitha arritjet kam investuar energji, profesionalizëm, kohë dhe emocione dhe i kam arritur me konkurim dhe votë. Ne vitin 1997, pasi lashë ministërllëkun, rifillova në PD si sekretar seksioni në lagjen time. Unë vetëm të ndenjurat kam të mijat, karriget janë të institucioneve. Ty ta kuptoj hallin që ke dhe pse mitralon. Kushedi të ndihmon krahu tjetër dhe të zgjidhet halli.
Për dijeni te opinionit dhe kolegëve të mi në Grupin Parlamentar, disa ditë para mbledhjes së fundit të Këshillit Kombëtar, Z. Basha më ka thirrur në zyrë dhe më ka ofruar dy pozicione në Kuvënd dhe Parti. Nëpërmjet tyre do të isha edhe anëtar i Kryesisë së Grupit Parlamentar edhe anëtar i Kryesisë së PDSH. I refuzova të dyja duke i thënë qe do të qëndroj vetëm Deputet. Kërkesës së tij për të konkuruar për anëtar të Kryesisë të PDSH i jam përgjigjur që nuk e kam qëllim në vetvete dhe nuk do konkurroj. Këtë e bëra edhe për të marrë pak përgjegjësi mbi vehte për ku kemi mbërritur në PD. Edhe nje këshillë të fundit për Mitrolozin. Mund ti vlejë edhe mitralierëve. Kujdes me fjalët sepse nuk janë si qentë që ju fërshëllen dhe i kthen prapa. Mos shaj në telefon, sepse që kur ndodhi ajo historia me Babalen të gjithë kanë filluar ti rregjistrojnë bisedat. Besoj më kupton ku e kam fjalën. Të fala!
Mbrëmjen e djeshme, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se nuk e di se çfarë kërkon më shumë Edmond Spaho nga Partia Demokratike. Sipas tij, ai ka qënë 25 vite deputet, ministër, president i FSHF-së dhe drejtues politik në vitin 2017.
‘Po pse Lulzim Basha u bë i keq këto dy javët e fundit? Po pse, sepse nuk dua, sepse unë e kam koleg, por çfarë do të shumë Mondi? Ka 25 vite deputet, ka qenë ministër i PD, ka qenë president i FSHF-së i bërë nga PD, nga Lulzim Basha ka qenë i bërë n/ kryetar Kuvendi dhe drejtues i grupit parlamentar. Por përgjegjësi nëse ka Basha apo nuk ka ky? Ka qenë drejtues politik në 2017 në një prej qarqeve me rezultatin më të dobët të PD.’- tha Salianji.
Përse nisën përplasjet mes Spahos dhe Salianjit?
Edmond Spaho deklaroi dy ditë më parë se do ti bashkohej ‘Foltores’ për PD të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas tij, Partia Demokratike kishte nisur një mandat të ri që i shkon shprehjes ‘sezon i ri avaz i vjetër’. Pas mbështetjes së treguar ndaj Berishës, erdhi më pas deklarata e Salianjit./dosja