Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka treguar në emisionin “Provokacija” momentin se kur mund të jetë gati Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. Sipas kryetarit të komisionit të ligjeve Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda muajit Korrik.
Gjithashtu ai theksoi se në të njëjtin stad procesi është edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Për Gjykatën e Lartë, Manja theksoi se do të jetë gati brenda verës.
“E thotë ligji se kush i nënshtrohet me përparësi Vettingut. Për mua nuk është bërë gabim. Fakti që nuk e kemi funksionale sot Gjykatën Kushtetuese dhe nuk kemi funksionale dhe Gjykatën e Lartë e ka hapur një lloj debati, por për mua Vettingu, natyrisht që nga Gjykata Kushtetuese do duhet të fillonte reforma në drejtësi. Kur e nisëm reformën në drejtësi një nga arsyet që e nisëm ishte se Gjykata e Lartë nuk e ka ushtruar si duhet rolin udhëheqës në sistemin gjyqësor.
Unë shpresoj dhe besoj se brenda Korrikut Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale. Në fazën ku është procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të gjykatës kushtetuese nga KED, unë them që jo brenda Korrikut po e po, por unë shpresoj që brenda 20 Korrikut ta kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë që është hallka kryesore e reformës sepse është inspektori që do kontrollojë sistemin dhe lidhet me llogaridhënien e sistemit, do të ngrihet paralelisht me Gjykatën Kushtetuese. Janë në të njëjtën shkallë, në të njëjtin stad procesi. Brenda këtij sesioni parlamenti do të votojë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin. Ndërsa me Gjykatën e Lartë unë e di që këtë javë KLGJ do hapë garën për anëtarët e Gjykatës së Lartë që vijnë nga jashtë sistemit. Gjykata e Lartë mjafton të krijohet një trupë gjykuese prej gjashtë gjyqtarësh dhe fillon plotësohet në mënyrë dinamike. Edhe Gjykata e Lartë me këtë formulë plotësimi mund të jetë funksionale para verës”, tha Manja./abcnews.al