Thellohet edhe më tej bilanci i të shtënave me armë që u regjistruan paraditen e kësaj të hëne në Universitetin Perm në Rusi.
Deri më tani raportohet për 8 të vdekur dhe 6 të tjerë të plagosur.
Autori i vrasjes është identifikuar si studenti Timur Bekmansurov, 18 vjeç. Në një postim në rrjetet sociale të shkruar pak para sulmit, Bekmansurov shpjegoi krimin, teksa deklaronte se qëllimi i tij ishte që të merrte sa më shumë jetë. Duket se i riu ka qenë në gjendje tepër të rënduar mendore në momentin kur ka planifikuar dhe më pas kryer krimin e rëndë.
“Që prej kohës kur e njoh veten, gjithmonë kam menduar për vdekjen. Unë nuk e di sa mund të vras, por do të bëj gjithçka që të marr sa më shumë njerëz me vete”, shkruante I riu, i cili edhe ai vetë ka mbetur i plagosur pas sulmit.
Gjatë tentativës për t’i shpëtuar të shtënave, studentë të shumtë u hodhën nga dritaret e klasave të tyre, ndërkohë që pamjet u bënë menjëherë virale në rrjet.
Zyrtarët e universitetit kanë apeluar studentët që të largohen nga kampusi, ose të qëndrojnë të mbyllur në një dhomë, ndërkohë që policia ka rrethuar zonën.