Një gazetare me origjinë afgane, Lailuma Sadid, që punon për gazetën e Brukselit Morning Newspaper, shpërtheu në lot teksa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po nbante një konferencë shtypi.
“Unë do të doja të bëja një pyetje në lidhje me rolin e NATO-s në Afganistan. NATO nuk është vetëm Amerika, a nuk mendoni se vendimi që keni marrë ju dhe NATO është i gabuar? Sa politika të tjera të dështuara do të ndjekin para se të gjendet një zgjidhje? Ne e kemi parë situatën. Sepse si një grua nga Afganistani … është e qartë se situata është shumë e vështirë. Ka mijëra gra në Afganistan që nuk e dinë çfarë i pret, çfarë ndodh … Ju lutemi mos i njihni talibanët pa asnjë kusht, siç bëri Donald Trump kur nënshkroi marrëveshjen me talibanët”, tha gazetarja mes lotëve.
Ndërsa pas saj ishte shkruar në një tabelë “Jeta afgane ka rëndësi” , ajo tha:
“NATO dhe bashkësia ndërkombëtare kanë qenë të pranishme në Afganistan për 20 vjet, dhe tani ne po kthehemi 20 vjet mbrapa. Unë do të doja të pyesja se si është e mundur kjo? Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ishin në krye të civilizimit, ata mundën fashizmin dhe nazizmin në Luftën e Dytë Botërore. Tani, pavarësisht forcës së tyre, ata nuk mund të luftojnë talibanët”.