Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vijon të surprizojë dhe t’i mëshojë idesë së tij për bashkimin kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pas deklaratave të dy ditëve me parë nga Hasi, ku Thaçi tha se momenti kur Shqipëria dhe Kosova do të jetojnë bashkë, pa kufi do të jetë shumë e afërt, këtë herë fjalët e kreut të shtetit kosovar kanë qenë më konkrete.
Nga ceremonia e 20-vjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik, Thaçi tha se zgjidhja më e mirë është që Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të dalin me deklarata për të jetuar në një shtet të përbashkët, pa kufij.
“Po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, tha Thaçi.