Tregjet e huaja po shtojnë kërkesat për prodhimet bujqësore “Made in Albania”, ku dominojnë domatja dhe kastraveci, krahas produkteve të tjera.
Pavarësisht pandemisë së COVID-19 eksportet e produkteve bujqësore shqiptare dhe sidomos fruta-perimeve vijojnë të kenë rritje dyshifrore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi tha se këtë 7-mujor eksporti i kastravecit ka patur një rritje në vlerë prej 33,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Eksporti i kastravecit llogaritet gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti 1,368 milionë lekë nga 1,029 milionë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të 2020-ës”, deklaroi Ekonomi.
Rritja e eksporteve të produkteve bujqësore vjen e gjitha falë investimeve të bëra në sektorin bujqësor, veçanërisht për kultivimin përmes serrave që krijojnë një avantazh për Shqipërinë.
Shqipëria ka rreth 1700 hektarë serra dhe tunele plastike për prodhimin e produkteve bujqësore.
Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto, rreth 20 %. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot punohen 250 mijë ha tokë.
Falë politikave mbështetëse të qeverisë eksportet e produkteve bujqësore janë katërfishuar.
Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë dollarë në fund të vitit 2014 në 400 milionë dollarë në fund të vitit 2020, ndërsa parashikohet të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme. /ATSH/