Autoritetet në shtetin Nju Sauth Uejls të Australisë deklaruan papritur të shtunën masa izolimi për shtatë ditë duke filluar të njëjtën ditë në darkë. Shkollat do të mbyllen për të paktën një javë.
“Jemi faktikisht në luftë. Varianti delta është skëterrë,” tha kryeministrja e këtij shteti.
E shtuna ishte dita më e rëndë e pandemisë në këtë shtet me 466 raste të reja dhe katër të vdekur.
Ndërkaq Rusia njoftoi të premten për një rekord të ri viktimash, pasi brenda 24 orësh humbën jetën 815 pacientë me COVID.
Zyrtarët po ashtu njoftuan për 22,277 raste të reja të premten, një shifër që reflekton rënie të infektimeve të përditshme krahasuar me ditët më të rënda në korrik.
Kanadaja ndërkaq ka njoftuar se po u kërkon të gjithë udhëtarëve që lëvizin brenda vendit nga një provincë në tjetrën me tren, anije apo avion të tregojnë dëshmi vaksinimi. Po ashtu, të gjithë punonjësve të sektorit federal do t’u kërkohet të vaksinohen.
Kanadaja po zhvillon një pasaportë dixhitale për të vaksinuarit, e cila mund të përdoret për udhëtime ndërkombëtare.
Në Shtetet e Bashkuara, një komision këshillimor për Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve votoi të premten njëzëri pro rekomandimit për një dozë të tretë vaksine për personat me sistem të kompromentuar imunitar.
Deklarata e komisionit pason vendimin e Agjencisë për Ushqimet e Ilaçet të enjten për të autorizuar një dozë të tretë me vaksinën Pfizer ose Moderna për 2.7 milionë amerikanë me probleme të sistemit imunitar. VOA