Ish-presidenti Bujar Nishani është shprehur së fundmi se nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd, teatrale dhe pa asnjë produkt siç e cilëson ai, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë përjetuar një përkeqësim të vijueshëm të jetës së tyre, që nga aspekti ekonomik e deri tek praktika fondamentaliste e çregjistrimit të tyre pa dëshirë nga regjistrat e gjendjes civile.
“Megjithëse kjo e fundit një politikë e pastër e spastrimit etnik, Qeveria e Tiranës as ka folur, as e ka dënuar e as ka arritur ndonjë rezultat në ndalimin e këtij spastrimi të ri ndaj shqiptarëve”, është shprehur Nishani, në rrjete sociale.
Më tej ai ka risjellë në vëmendjen e opinionit publik deklaratën e kryeministrit Rama në Beograd se “është arritur marrëveshja me Serbinë për njohjen e diplomave shqiptare për studentët nga Lugina e Preshevës, të diplomuar në Shqipëri” .
“Megjithëse kjo “marrëveshje” nuk u bë kurrë publike, ende sot Shteti Serb as nuk i njeh e as nuk i pranon diplomat e studentëve të Luginës së Preshevës, nga universitetet shtetërore në Shqipëri !
Po ashtu, Shteti Serb nuk i njeh as diplomat e universiteteve të Kosovës për këta diplomantë !
Imagjinoni tani hipokrizinë e madhe, teatrin absurd, talljen me shqiptarët e të ashtuquajturit “Ballkani i Hapur”, deklaron më tej Nishani.