Prej më shumë se një jave, vatra të shumta zjarresh kanë zhytur Greqinë në një situatë kaotike.
Ndërkohë e gjithë bota është me sytë nga katastrofa me pasoja të frikshme ekologjikë, flakët e pangopura që përpijnë gjithçka, pyje, shtëpi, kafshë të pambrojtura, biznese të shumta, ndërsa njerëzit largohen me shpejtësi të tmerruar, në dëshpërim të thellë.
“Nuk është hera e parë që përjetojmë situata të tilla, gjatë 30 viteve tona në Greqi. Por është gjithmonë si hera e parë! E njëjta asfiksi, të mbytur në trishtim të thellë, në solidarizim të plotë me vendasit”, shprehen shqiptarët që jetojnë në Greqi.
Le të shtojmë në reportazhet e shumta të këtyre ditëve se shqiptarët emigrantë -sa pa vend ky epitet sot- të Greqisë janë një pjesë e pandarë e shoqërisë greke. Që do të thotë se në pamjet e egra që kamerat transmetojnë pafund, mes vullnetarëve zjarrëfikës apo njerëzve të tmerruar që luftojnë me sakrifica e vetëmohim për të shpëtuar sadopak nga katastrofa, ka dhe shumë shqiptarë.
Mes banorëve që ndoqën pas hijeve të lotëve, të ngrirë para mureve që shkrinin gjithë mundin e një jete të bëhet shkrumb e hi kishte edhe shqiptarë. Një komunitet kaq masiv e me një historik kaq të vjetër nuk mund të mos jetë më hallkë e zinxhirit.
“Nuk dallojmë më, nuk ekziston “ata dhe ne”, por vetëm “bashkë”. Kështu ishte në zjarret vdekjeprurëse të Ilia në vitin 2007. Kështu është çdo vit, në çdo vatër kërcënuese për oksigjenin tonë. Heronj në zjarret e frikshme të Matit në 2019″, shtojnë ata.
Të pranishëm dhe sot, jo vetëm mes listës së të dëmtuarve, por edhe në solidarizimin e plotë, duke kontribuar prekshëm për të lehtësuar sadopak këtë krizë të thellë.
Të shumta inisiativat, si nga organizata apo shoqata, ashtu dhe nga grupe individësh apo bizneset e shumta të shqiptarëve. Mediat sociale gjithashtu kanë marrë flakë, për të reaguar urgjentisht.
Në Kretë, në Athinë, në zonat e djegura janë të vazhdueshme thirrjet për mbledhjen e ushqimeve, pijeve freskuese apo sendeve bazë higjienike, siç kërkohen nga zonat e prekura. Disa prej tyre, komuniteti shqiptar në Kretë ka filluar mbledhjen e ndihmave, në bashkëpunim me pushtetin lokal në zonën e Chania.
Komuniteti Shqiptar në Greqi bashkon fuqitë me Forumin Grek të Emigrantëve, Forumin Grek të Refugjatëve e organizatat anëtare në mbledhje të ndihmave, sipas kërkesave të zjarrëfikësve e banorëve që vijojnë përpjekjet heroike.
Një grup i madh emigrantësh, anëtarë të shoqatave të ndryshme si Lidhja e Gruas Shqiptare në Greqi e të tjera bashkohen me pikë takimi biznesin e familjes Abazi në zonën Glifadha “To Horiudhaki”, me një thirrje të mirëorganizuar në rrjetet sociale. E nismat vijojnë çdo ditë, disa të publikuara e të dukshme, disa në heshtje, njësoj domethënëse.
Historia e hidhur ndoshta përsëritet shpesh në Greqinë e nxehtë edhe pse sivjet duket se përbindëshi kërcënon gjithë rajonin, por paralelisht funksionon dhe si një kujtesë me fakte të prekshme të nivelit të plotë të integrimit të shqiptarëve në shoqërinë greke të BE-së, si dhe të solidarizimit të plotë mes dy popujve fqinj.