Ju qëllon të blini gjatë javës banane, luleshtrydhe, mollë, domate dhe pasi jeni kthyer nga fundjava gjithçka është rrudhur ose akoma më keq ka filluar të myket? Nuk është një ndjenjë e bukur, dhe ndjesia që keni harxhuar para kot më së koti por edhe që keni shpërdoruar ushqimin bëhet e fortë.
Diçka e tillë tashmë mund të jetë një kujtim (i hidhur), sepse një kompani amerikane thotë se nga vetë perimet ka krijuar një produkt i cili premton që do të revolucionoi tregun ushqimor botëror.
Produkti, që quhet Apeel, prodhohet nga firma amerikane në formë pudre që më pas tretet dhe i hidhet frutave ose perimeve në formë spray. Kompania premton që me Apeel do te trefishohet koha e rezistencës ndaj oksidimit dhe mykut të këtyre produkteve.
Në BE, ku rreth 50% e ushqimit të prodhuar hidhet pikërisht për këto arsye, javën e kaluar Komisioni Evropian ka dhënë lejen Apeel për tregtimin e lëndës, që është e ligjshme tashmë edhe në SHBA, Kinë, Japoni dhe vende të tjera.
Në disa video të shpërndarë nga kompania, shihet një luleshtrydhe e spërkatur me Apeel që rri pothuajse e freskët pas një jave, ndërkohë që fruti pa të është tërësisht i mykur. Bananet mbeten të verdha edhe pas 15 ditësh, ashtu si të freskëta duken edhe domatet.
Kompania siguron që krijimi i tyre është 100% natyral, i ngrënshëm dhe se nuk paraqet asnjë problem, madje do të ulë sasinë pesticideve të përdorur, si dhe plastikën në ambalazhim.