Zjarret kanë rrezikuar seriozisht fshatrat e thella të Vlorës.
Malet rreth tyre janë pushtuar nga flakët.
Si rrugë e vetme për të shuar zjarret që çdo minutë e më shumë po u afroheshin banesave të tyre, njerëzit kanë kërkuar ndërhyrjen nga ajri.
Për shkak të flakëve në afërsi të NST-së Kuç, për disa minuta është stakuar linja 35 kV Babicë-Smokthinë, duke lënë pa energji NST-në Kuç dhe NST-në Mobile Borsh. Zonat që u prekën nga ky stakim ishin Borshi, Lukova, Ftera e Qeparoja.
Grupet e OSSH-së kanë fikur zjarrin, duke penguar përhapjen e tij dhe kanë rikthyer sërish energjinë elektrike.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, bashkë me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, ishin dje në fshatin Dukat, duke monitoruar ndërhyrjen e ushtrisë, pas mbërritjes së helikopterëve.
“Nga Dukati, po shohim këtë mëngjes një dritë shprese që njësoj si për natyrën vlen edhe për sakrificën e atyre dhjetëra djemve të Zjarrfikëses, Ushtrisë, përfaqësuesve të Zonave të Mbrojtura dhe Bashkisë Vlorë. Mbërritja e helikopterit të Forcave të Armatosura, për të ndërhyrë në fikjen e zjarreve nga ajri, ka filluar të stabilizojë gradualisht gjendjen e rënduar që përfshiu Karaburunin në ditët më të nxehta të korrikut”, u shpreh dje Leli.