Është mbyllur kjo protestë e gjashtë e Opozitës e qetë dhe pa akte dhunë përkundër të gjitha fjalimeve të ashpra të liderëve opozitar. Ajo që ishte më e ashpër në fillimin e protestës, ishte kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Me pathos dhe duke marshuar, Kryemadhi do të thoshte në minutat e para të protestës se në këtë protestë ajo do të luftonte deri në fund për fëmijët e saj.
“Do luftoj për Shqipërinë se dua që fëmijët e mi të jetojnë në Shqipëri, që kur të flenë t’i përkëdhel fëmijët e mi. Ashtu siç zoti është treguar me Shqipërinë, ashtu edhe politikanët duhet të tregohen me dinjitet me këtë vend. Ne nuk do të lejojmë as Edi Ramës që destabilizojë Shqipërinë”, tha Kryemadhi në fillimin e protestës.
Por nga këto deklarime të ashpra në atë që ndodhi realisht në protestë, pati një ndryshim shumë të madh. Aktet e dhunës ishin shumë sporadike dhe kohëzgjatja e saj ngjasoi si një protestë që më përpara mbaroi se sa filloi. Ashtu si Basha edhe për Kryemadhin nuk dihet se çfarë ndodhi që kjo protestë shkoi me këtë skenar.
Një mesazh i fortë paralajmërues nga ndërkombëtarët kundër dhunës, apo një sinjal i parë për një marrëveshje të mundshme, sërish dilema për këtë lloj proteste të sotme, mbetet e vështirë për t’u zgjidhur në këto momente.