Policia ka vënë në pranga dy nga autorët e vrasjes që ndodhi mëngjesin e sotëm, së 30-vjeçarit, Romeo Hasalla, pas një konflikti për pronat mes kushërinjve të parë në një fshat të Lushnjës.
Policia thotë se në pranga janë vënë shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.
Ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi me iniciale K. H.
Njoftimi
Vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorit tjetër të shpalluar në kërkim.
Strukturat hetimore të DVP Fier në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë është bërë arrestimi i tyre për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H.